Nga: Marlind Laçi

Prej më tepër se një jave në mbulimin mediatik në trojet shqiptare fitoi shumë vëmendje formati i dy skulpturave të ngritura në qytetin e Prizrenit, përkatësisht në nder të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Në pamje të parë ngritja e këtyre veprave në qytetin më historik të shqiptarisë mbart në vetvete unitet dhe bashkim e sigurisht nxit akoma më shumë unifikimin kufitar të Shqipërisë Natyrale. Analist e publicist u shprehën kundër formës aparenciale të këtyre figurave historike, ku bie në sy reagimi i publicistit Agron Gjekmarkaj ,i cili në artikullin e tij hedh dyshimet e drejtpërdrejta se ata qe kanë gisht në deformimim aparencial e artistik të Skënderbeut janë turqit. A thua se z.Gjekmarkaj e ka njohur imtësisht që në djep Gjergjin dhe ka luftuar krah për krah tij në betejën e Torvjollit apo në atë të Mokrës! Ajo çka është më shqetësuese dhe alarmuese është dystandartizimi që shpaloset në këtë artikull (ku të dy skulpturat si ajo e Adem Jasharit edhe e Skenderbeut ishin të pa arrira artistikisht) është  se si Z.Gjekmarkaj përpiqet të bëjë vetëm avokatin politiko-artistik të Skënderbeut dhe nga ana tjetër nuk përmend në asnjë rresht heroin më sakrifikues në historinë botërore: Adem Jasharin. Ky dystandartizim provokativ dhe tepër tendencioz vjen si pasojë e mënyres se si ai përpiqet ta trajtojë Skënderbeun në artikullin e tij, duke përdorur doza romanticizmi e fashizmi, si një hero që mbart vlerat superiore të kristianizmit, si tmerr i muslimanëve të prapambetur otoman e anadollakë dhe si mburojë të Europës kristiane. Nga ana tjetër nuk bëzahet e nuk pipëtihet për Ademin e Prekazit, i cili u sakrifikua bashkë me 40 familjarë për të mos i’u nënshtruar terrorizmit sllavo-kristian të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç.

Qasja e fshehur nën petkun intelektualo-artistik të z.Gjekmarkaj është e tillë që mbi 90 % të mbarë shqiptarve ta dënojë me mospasjen e një heroi kombëtarë të unifikuar e të pranuar masivisht si Skëndërbeu. Gjithashtu përforcon tezën e famshme antiturke e antiIslame “Më mirë në shpellë me ujkun se në qytet me turkun” duke harruar plotësisht se Prizreni hyri në historinë shqiptare si qyteti ku u mbajt Lidhja Islamo-Shqiptare për tu përballur ushtarakisht e politikisht me tendencat shoviniste sllavo-ortodokse të grantuara e të nxitura nga Europa e kulturës së krishterë, të cilat na sollën këtë erozion fizik të kufinjve e masakra të padëgjuara e të papara  ndonjëherë mbi popullsinë shqiptaro-musliman. Polarizim i tillë që vjen si pasojë e mendjengushtësisë dhe  syverbërisë fanatiko-fetare sjellë pasoja të rënda në atë çka ne e cilësojmë mrekullia e bashkjetesës fetare. Por kjo mrekulli cënohet nga pëshpëritje të tilla djallëzore dhe pushon së qëni e tillë kur me anë të islamofobisë cënohet historia dhe identiteti i 90% të popullit shqiptar. Jam i sigurt se muslimanët shqiptar do e ndiqnin Skënderbeun e shekullit të 15 nëqoftëse ai do luftonte për vlerat e lirisë dhe drejtësisë. Nga ana tjetër jam i sigurt se muslimanët shqiptar nuk do e pasonin atë nëqoftëse ai do sillej si Skënderbeu i Agronit.

Nga artikulli i Agron Gjekmarkaj tërthorazi marr përgjigjen se përse bustet e skulpturat e Adem Jasharit ndodhen vetëm në Shqipëri dhe në shenjë vllazërie midis dy kombesh mban emrin e një prej parqeve të komunës “Bajrampasha” në Stamboll, ndërsa bustet e Skënderbeut ndodhen në cdo kryeqytet të Europës. Duke tentuar të ironizojë rëndomtazi me polemizues që hedhin dyshime mbi gjatësinë trupore dhe me gjatësinë e pallës (shpatës)së Gjergjit, Agroni harron se vetë është i dashuruari më patologjik me pallën e Skënderbeut  madje unë propozoj një lëvizje që pallën e Gjergjit ta rezervojmë e ta privatizojmë eksluzivisht vetëm për Agronin. Gjekmarkaj duhet të dijë se fshati ku lindi Skënderbeu është Guri Bardhë (Petëralba nga kam origjinën dhe unë) dhe jo trojet ku qeverisnin të parët e Agronit si Lek Dukagjini që ishin kundërshtarë politik të Skënderbeut.

Ne duam një Skenderbe hero të shqiptarizmit dhe jo një Skënderbe fanatik fetar dhe kryqëzator mesjetarë siç përpiqet të na e servirë Gjekmarkaj.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re