Ushtria e Azerbajxhanit ka dhënë 2.783 dëshmorë në operacionet që ka zhvilluar për të çliruar nga pushtimi territoret e tij në Malësinë e Karabakut.

Ministria azerbajxhanase e Mbrojtjes, njoftoi humbjet e jetëve në luftën e cila filloi më 27 shtator dhe e cila përfundoi më 10 nëntor me nënshkrimin e marrëveshjes ku Armenia pranoi humbjen e saj.

Në deklaratë thuhet se gjatë luftës kanë rënë dëshmorë 2.783 ushtarë azerbajxhanas dhe se janë plagosur 1.245 të tjerë.

Derisa vazhdojnë punimet për identifikimin nëpërmjet analizës së ADN-së të 103 ushtarëve dëshmorë ende të paidentifikuar, bëhet e ditur se janë mbi 100 ushtarë të zhdukur dhe se vazhdojnë punimet për gjetjen e tyre.

Më tej në deklaratë thuhet se emrat dhe gradat e ushtarëve do të njoftohen për opinionin publik më pas.

Armenia pranoi humbjen dhe nënshkroi marrëveshjen që premtonte largimin edhe nga rajonet nën pushtim Agdam, Lachin dhe Kalbajar, pasi ushtria e Azerbajxhanit çliroi nga pushtimi i Armenisë 5 qendra qytetesh, 4 qyteza dhe rreth 286 fshatra me operacionin që filloi në Malësinë e Karabakut më 27 shtator.

Ushtria e Armenisë u tërhoq më 20 nëntor nga qyteti Agdam ndërsa më 25 nëntor nga Kalbajar dhe me 1 dhjetor nga Lachin.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re