Skip to content

Zyrtari amerikan: Izraeli, pas vrasjes së Mohsen Fakhrizadeh

Televizioni CNN transmetoi deklaratat e një zyrtari të lartë të administratës amerikane, i cili tha se Izraeli ishte prapa vrasjes së shkencëtarit bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh.

Zyrtari, megjithatë, nuk pranoi të japë hollësi nëse administrata e presidentit amerikan në largim Donald Trump dinte për sulmin para se ai të zbatohej dhe nëse ofruan mbështetjen e tyre.

Sipas një burimi, identiteti i të cilit nuk u zbulua nga CNN, Izraeli zakonisht i jep informacion administratës amerikane në lidhje me synimet e tij dhe operacionet e fshehta para se t’i kryejë ato.

Por ai nuk pranoi të konfirmojë nëse qeveria izraelite e bëri kështu këtë herë, edhe pse ai konfirmoi se Fakhrizadeh, i cili u vra të premten, ka qenë prej kohësh një objektiv i Izraelit.

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar Izraelin për përfshirje në vrasjen e Fakhrizadeh. Në zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh tha të martën se reagimi i Iranit ndaj vrasjes ishte i mprehtë dhe se gishti i akuzës drejtohet kah Izraeli.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif gjithashtu tha se ka përpjekje SHBA-Izraeli për të përshkallëzuar tensionet në rajon para përfundimit të mandatit të Presidentit Trump.

Zarif e lidhi vrasjen e Fakhrizadeh me atë që ai e përshkroi si vizitë emergjente të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo në rajon dy javë më parë, me një takim trepalësh në Arabinë Saudite dhe deklaratat e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

“E gjithë kjo konfirmon se ekziston ky komplot, një pjesë e së cilës ishte vrasja e Fakhrizadeh,” tha ai.

Zarif e konsideron aleancën midis Pompey, Netanyahu dhe Princit të Kurorës saudite si “aleancë e së keqes”.

Ministria izraelite e Punëve të Jashtme ka urdhëruar të gjitha ambasadat dhe misionet e saj të rrisin nivelin e gatishmërisë së sigurisë, në pritje të përgjigjes së Iranit ndaj vrasjes së Fakhrizadeh.

Fakhrizadeh u vra të premten e kaluar, në një operacion të përshkruar nga autoritetet iraniane si shumë i ndërlikuar dhe me metoda të reja.

Kjo zgjati rreth tre minuta, dhe nuk kishte asnjë “element njerëzor” në skenën e vrasjes.