Altin PLUMBI
2 dhjetor 2019 – 2 dhjetor 2020
Është vënë re se specialistë të fushës së ndërtimit dhe sizmiologjisë, për shkak të situatës së rënduar nga tërmeti, jo rrallë herë iu ka dashur që të japin mesazhe kurajuese, që gjë ul sado pak depresionin në të cilin ndodhen njerëzit. Shumë prej tyre, si edhe specialistja në foto, tregojnë për shkaqet nëntokësore dhe ato mbitokësore, si edhe bashkë me to, për qetësimin e mendjes sa i përket shkaqeve nëntokësore, nënkuptoj këtu aktivitetin e pllakave tektonike, si edhe për kujdesin e madh që duhet të kemi për sa i përket shkaqeve mbitokësore, nënkuptoj këtu, ndërtimet me norma dhe kritere, në përshtatje me zonën tektonike që ndodhemi.
Prej pjesës së kurajos që këta specialistë frymëzojnë, është edhe qetësimi që ata u injektojnë njerëzve se kjo që ndodhi, ndodh një herë në dyzet vjet, apo përsëritet një herë në njëqind vjet, e për pasojë, nuk ka vend për panik etj. etj. . Edhe sa i përket tërmetit të shtatorit, u tha e njëjta gjë. Dihet se shkenca dhe specialistët, nuk mund të japin garanci se kjo që ndodhi, mund të ndodhë përsëri, pas tre, katër apo më tepër muajsh, pse jo edhe me ditë. Rehatimi i njerëzve, me qëllimin e mirë për t’i qetësuar dhe i larguar atyre stresin, duke u mbështetur te arsyet materiale dhe duke lënë shkaqet fetare, është zhgënjimi më i madh që njerëzve po u injektohet. Allahu i krijon shkaqet, ndër to janë edhe pllakat tektonike dhe aktiviteti i tyre, sikurse ka krijuar mikrobet dhe sëmundjet, apo krijon përmbytjet dhe vullkanet etj., me të cilat i tërheq vërejtjen njerëzve, i frikëson apo i dënon. Gjithashtu, na kërkon që t’i ruhemi dënimit të tij, me shkaqe fetare, pa lënë pas dore edhe shkaqet materiale. Zhveshja e moralit dhe e kurajos nga elementi fetar dhe mbështetja te elementi material, është zhgënjimi dhe vetmashtrimi më i madh që po kalon populli ynë në këto momente.
Allahu i aktivizon shkaqet që ka krijuar, sa herë që kjo përshtatet me urtësinë e Tij, të cilën në lidhje me ngjarjet që po kalojmë, na e ka bërë të qartë në librin e Tij dhe në traditën profetike.
Zoti e drejtoftë populli tonë në rrugën e drejtë dhe e largoftë nga zullumet e shumllojshme që e kanë zaptuar dhe i ka pranuar!
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



