Skip to content

Irani, tjetër version për ekzekutimin e Fakhrizadeh: atentati, me inteligjencë artificiale

Vrasja e shkencëtarit kryesor bërthamor iranian muajin e kaluar u krye në distancë, me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe një pushke automatike të pajisur me një “sistem që kontrollohej nga sateliti”, shkruan agjensia e lajmeve Tasnim që citon një komandant ushtarak.

Irani ka fajësuar Izraelin për vrasjen e Mohsen Fakhrizadeh, i cili konsiderohej nga shërbimet e inteligjencës perëndimore si krijuesi i programit sekret bërthamor të Iranit.

Izraeli nuk e ka konfirmuar ose mohuar përgjegjësinë për vrasjen e tij, por në të kaluarën ka pranuar kryerjen e operacioneve të fshehta për të mbledhur informacione për programin bërthamor të Iranit.

Irani ka dhënë detaje kontradiktore në lidhje me vdekjen e Fakhrizadeh në një pritë të ngritur më 27 nëntor në një autostradë jo shumë larg Teheranit.

“Nuk kishte terroristë në tokë … Martiri Fakhrizadeh po ngiste një makinë kur u qëllua,” i tha Tasnim-it Ali Fadawi, zv.komandanti i Gardës Revolucionare Iraniane.

“Pushka ishte montuar në një kamion dhe drejtohej nga një satelit.”

Fadawi tha se pasi autoritetet iraniane njoftuan se kishin gjetur gjurmët e vrasësve, ende nuk ka pasur arrestime.

Menjëherë pas vrasjes së Fakhrizadeh, dëshmitarët okularë i thanë televizionit shtetëror se një kamion kishte shpërthyer para se një grup sulmuesish të hapnin zjarr ndaj makinës së tij.

Javën e kaluar, Ali Shamkani, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha se vrasja u krye nga “pajisje elektronike” pa njerëz në tokë.

Ekspertët dhe zyrtarët i thanë Reuters javën e kaluar se vrasja e Fakhrizadeh kishte zbuluar difekte të sigurisë, që do të thotë se forcat e sigurisë mund të jenë infiltruar dhe se Irani është i prekshëm nga sulmet e ardhshme.

“Trembëdhjetë të shtëna u qëlluan në drejtim të dëshmorit Fakrizadeh nga një pushkë e kontrolluar nga sateliti … Gjatë operacionit, u përdor inteligjenca artificiale dhe njohja e fytyrës,” tha Fadawi.

“Gruaja e tij, e cila ishte në të njëjtën makinë, 25 metra larg tij, nuk u plagos”.

Fakhrizadeh është shkencëtari i pestë bërthamor iranian i vrarë në sulme të shënjestruara që nga viti 2010 në Iran dhe është vrasja e dytë e një zyrtari të lartë iranian këtë vit.