Skip to content

Menduan se kishte send të fortë dhe vranë 25-vjeçarin me dy plumba pas mesnatës, çfarë thotë ligji për përdorimin e armëve të zjarrit nga Policia e Shtetit (FOTO)

Një 25-vjeçar i identifikuar si Klodian Rasha u vra pas mesnatës pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar nga efektivët e policisë, të cilët pretenduan se kishte një send të fortë në dorë dhe do ti sulmonte. Por viktima u largua nga ata me vrap dhe nuk bëri asgjë që të sulmonte efektivët. Në ndjekje, burime bëjnë me dije se i riu u qëllua me dy plumba, një një shpinë e një në kokë dhe gjeti vdekjen.

Por neni 7 i ligjit për ‘Përdorimin e armëve të zjarrit’ nga Policia e Shtetit thotë se efektivët nuk e kanë të drejtën të qëllojnë me armë nëse vënë re se një person që paraqet rrezikshmëri dhe përpiqet të largohet.

“Sipas nenit 7 për përdorimin e armëve të zjarrit”: Arma nuk përdoret kur personi që paraqet rrezikshmëri përpiqet të largohet, gjë që tregon synimin e tij për të hequr dorë nga realizimi i aktit kriminal dhe ky largim nuk paraqet kërcënim për pacenueshmërinë e personave të tjerë”, thuhet në nenin 7 të ligjit për ‘Përdorimin e armëve të zjarrit’ nga Policia e Shtetit.

Për këtë ngjarje ka hije të forta dyshimi pasi nuk ka një deklaratë nga zyrtarë të Policisë apo Prokurorisë, edhe dy njoftimet e sjella nga Policia e Tiranës në grupe whatsup-i lënë vend për diskutim, për shkak të informacioneve kontradiktore.

Në njoftimin paraprak thuhej se punonjësi i Policisë kishte qëlluar në drejtim të Rashës pasi ky i fundit mbante një send të fortë në dorë, ndërkohë që rruga ku ka ndodhur ngjarja, po sipas bluve ka qenë e pandriçuar. Gjë që në fakt hidhet poshtë nga ana e fqinjëve të familjes Rasha, të cilët shprehen se dritat në rrugicën ku Policia ka qëlluar të riun janë funksionale dhe përgjatë gjithë natës rruga është e ndriçuar.

Ndërkohë që sa i përket sendit që në fillim u duk si armë, dhe më pas rezultoi pas më shumë se 6 orësh të ishte pistoletë, ngrihen pikëpyetje se pse hetuesve iu desh një kohë kaq e gjatë për zbulimin e saj, në një kohë kur e gjithë rrugica e ngushtë mund të përshkruhet vetëm për disa minuta.

Sa i takon të riut, për të cilën Policia u kujdes të njoftonte në rrugë jozyrtare se kishte qenë një person me precedentë penalë të mëparshëm, fqinjët dhe familja pretendojnë të kundërtën, duke thënë se ai ishte shumë i sjellshëm, dhe nuk ngacmonte askënd në lagje.

/faxweb