Dhjetëra protestues kanë qëlluar me sende të forta, gurë, madje dhe pjesë të shkallëve të godinës së Kryeministrisë, ndërsa kanë tentuar të shkallojnë dhe derën e institucionit për të hyrë brenda. Situata e tensionuar vazhdonte prej disa minutash ndërsa më herët protestuesit dogjën dhe rrëzuan pemën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Por pas thyerjes së derës dhe xhamave të godinës kryeministrore, kanë ndërhyrë menjëherë efektivët e policisë të cilët kanë zmbrapsur qytetarët duke hedhur spraj dhe gaz lotsjellës.
Gjithashtu blutë kanë nisur dhe shoqërimet e para të protestuesve, ndërsa nga pamjet e siguruara nga Fax News shihen efektivët të cilët dhunojnë shumë prej tyre.
Protesta e sotme u thirr nga shumë qytetarë dhe aktorë të shoqërisë civile për të protestuar pas vrasjes nga policia të të riut Klodian Rasha mëngjesin e djeshëm.
Një efektiv policie e qëlloi për vdekje 25-vjeçarin 50 metra larg oborrit të shtëpisë së tij, pasi i riu nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. Rasha gjeti vdekjen nga 2 plumba pas shpine, teksa përpiqej të largohej me shpejtësi. Efektivi që kreu vrasjen u arrestua në orët e mëvonshme. Në deklaratën që ai dha para SHÇBA u shpreh se ‘iu duk se i riu kishte armë’.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, ndërsa hedhin vazhdimisht parulla kundër qeverisë.
/faxweb
