Skip to content

‘Drini Dobin nuk e kam njohur…’, Rama reagon për ndarjen nga jeta të mjekut; Gjendjen e tij e ndoqa përmes Ogertës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të mjekut Drini Dobi, i cili e humbi betejën me Covid 19. Edhe pse thotë se nuk e ka njohur personalisht mjekun, ai thotë se e ka ndjekur nga afër gjendjen e tij përmes ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Por ajo që nuk thotë kryeministri në statusin e tij, është që prej kohësh familja e mjekut kërkonte ndihmë financiare për ta dërguar Dobin jashtë vendit, ndëkohë që qeveria u kujtua, vetëm pasi në rrjet ishin grumbulluar rreth 20 mijë euro.

Drini Dobi u nda nga jeta në Itali, në moshën 51-vjeçare, duke lënë pas një dhembje shumë të madhe të familja e tij, dhe të gjithë pacientët të cilëve u ka shërbyer.

Postimi i Ramës:

Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar.

Eshtë e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë.

Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij. Rrofshin dhe e kujtofshin gjithmonë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb