Skip to content

Iu dogj lokali, anëtari i Këshillit Bashkiak shpërthen ndaj zjarrfikësve: I panë bombulat te sytë që i pëlcasin, kam pasur konflikt me Ilir Beqajn, por është personi i fundit tek i cili dyshoj

Ka marrë një pikë kthese ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Shkodër, ku dy lokale në katin e parë të një pallati u përfshinë nga flakët, ndërsa policia u nxitua duke thënë se kjo kishte ndodhur si pasojë e rrjedhjes së një bombule gazi.

Arbis Vjerdha, pronari i një prej lokaleve shprehet se drejtori i zjarrfikësve ka dhënë një deklaratë të papërgjegjshme, pasi asnjë prej lokaleve që janë përfshirë nga flakët nuk ka pasur bombul gazi brenda ambienteve. Vjerdha, i cili është njëherësh dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, shprehet se ka krijuar shumë armiqësi për shkak të detyrës së tij, pasi ka thënë shumë të vërteta.

Ai kërkon nga Policia dhe prokuroria që të hetojnë në lidhje me ngjarjen dhe zbulon një konflikt që ka pasur dhe me Ilir Beqajn, për të cilin thonë se nuk beson që mund të bjerë në nivele të akteve të tilla. Vjerdha shprehet se në listën e të dyshuarve Beqaj zë vendin e fundit, ndërsa nuk kursen kritikat as për Ademin, pasi kamerat e vendosura nga Bashkia në zonë nuk janë funksionale.

“E vërteta qendron se ky drejtor a inspektor ka bërë një deklaratë të papërgjegjshme, nuk ka ekzistuar asnjë bombul gazi as te lokali im dhe as te lokali ngjitur. Ky person më tha mua në zyrë që nuk ishte specialist dhe nuk mund ta përcaktonte.

Bombula e gazit ti shpërthejë në sytë e tij atij. Njerëzit kanë dëgjuar plasje, duken qartë se këmbët e bazamentit të ashensorit janë të plasura, dhe një njeri që ka parë film aksion, mund ta vërtetojë këtë. Unë them që aty ka pasur eksploziv. Unë pyeta më parë dhe specialistët më thanë që ka të bëjë me shpërthim.

Kamerat kur iu duhen qytetarëve nuk janë dhe nuk punojnë. Mjafton me ken i ndershëm dhe sigurisht që i bën armiqtë me kamiona. Unë armiq kam sa të dush, nuk e përjashtoj mundësinë që të jem nën dashakeqësinë e dikujt që ia kam prishur terezinë. Mua nuk më intereson as azili, dhe as siguracioni që mund të marr për lokalin. Jam i përjashtuar nga çdolloj interesi për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjes. Që Ilir Beqja është një maskara, kësaj nuk i heq asnjë presje, por nuk besoj që mund të bjerë në nivele të tilla. Nëse kam një listë njerëzish për të cilët dyshoj, ai është në vendin e fundit”, shprehet Vjerdha.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb