Numri 2 në PS Taulant Balla ka reaguar ashpër pasi kreu i shtetit Ilir Meta ktheu sot mbrapsht Buxhetin e 2021-shit, me pretendimin se nuk janë caktuar mjaftueshëm fonde për përballimin e pandemisë. Balla shprehet se Presidenti nuk ka asnjë të drejtë të kthejë buxhetin, dhe ai do të rivotohet në Kuvend menjëherë sipas procedurës parlamentare.
Postimi i plotë i Ballës:
Presidenti nuk ka asnjë të drejtë të kthejë Buxhetin e Shtetit. Por është e turpshme dhe djallëzore të vonosh hyrjen në fuqi të Buxhetit të Shtetit sot kur aty janë planifikuar:
MBËSHTETJA MË E MADHE PËR SHËNDETËSINË DHE RINDËRTIMIN, MBROJMË JETËN E QYTETARËVE NGA PANDEMIA, GARANTUAM FONDIN PËR VAKSINËN ANTI-COVID, RIMBURSOJMË KURIMIN ÇDO QYTETARI/QYTETAREJE SHQIPTARE NGA COVID-19, RRISIM PAGAT ME 40% PËR MJEKET DHE PERSONELIN SHËNDETËSOR, MIRATUAM 280 MILIONË DOLLARË PËR RINDËRTIMIN.
Buxheti do të rivotohet menjëherë sipas procedurës parlamentare dhe do të hyjë në fuqi siç e ka votuar Kuvendi!
Në thelb të argumenteve të kreut të shtetit, thuhej se buxheti i vitit të ardhshëm nuk parashikon fonde të mjaftueshme për të përballuar pandeminë Covid-19 dhe as mbështetje për bizneset apo individët që kanë humbur vendet e punës për shkak të krizës.
Ndër të tjera, presidenti Meta në dokumentin e kthyer argumenton se qeveria nuk ka një plan të qartë për të ulur nivelin e borxhit publik, që sipas tij paraqet një risk të madh për ekonominë e vendit.
Një ndër arsyet e kthimit evidenton kreu i shtetit është se nuk janë marrë parasysh rekomandimet e institucione ndërkombëtare për të mos zgjeruar projektet e Partneriteti Publik Privat, teksa shqetësime ngre edhe mbi detyrimet e prapambetura.
Ndërkohë, problematike cilësohet edhe Korporata e Investimeve, pasi sipas argumenteve të kreut të shtetit vënia në funksion e saj do të sjellë rreziqe të reja fiskale për ekonominë e vendit.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
