Ish-kryeministri Aleksandër Meksi nëpërmjet një postim në “Facebook” për 30 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike dhe Lëvizjen Studentore të ’90, ka theksuar se kjo nuk është Shqipëria kanë ëndërruar. Meksi thotë se e kanë në dorë qytetarët që “Shqipëria të bëhet si Evropa” dhe që kjo ëndërr të plotësohet një ditë përfundimisht.
Postimi i plotë i Aleksandër Meksit, në Facebook:
“Si sot në 12 dhjetor 1990, 30 vite më parë, një grup studentësh, pedagogësh e intelektualësh në vazhdën e protestave studentore dhe mbështetjes së tyre nga qytetarët e Tiranës e kërkesave të tyre, vendosën të krijohet një Parti e të gjithë shqiptarëve kundërshtarë të regjimit të komunistëve, një Parti që qysh në Programin e saj theksoj synimet për Shqipëri si Evropa demokratike, pluraliste me ekonomi tregu të lirë, me respekt për të drejtat e njeriut e një shtet juridik e për çështjen kombëtare dhe e quajti Partia Demokratike e Shqipërisë.
Shqipëria sot nuk është ajo e vitit 1990, e një diktature komuniste, por në mjaft aspekte as ajo që ëndërruam ato ditë. I Uroj të gjithë demokratëve këtë ditë, e në radhë të parë atyre që mbushën sheshet ato ditë me thirrjet “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, që një ditë ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht dhe këtë e kanë në dorë ata vetë” shkruan ai.
(E.G/Faxweb.al)
/faxweb
