Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Altin Koçin, Robert Poshnjarin dhe Vilson Kulemanin, të cilët morën pjesë në protestë për Klodian Rashën. Në ditën që u shoqëruan për komisariat, u shpallën në kërkim edhe 8 persona të tjerë.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit R.P., 21 vjeç, banues në Tiranë, A.K., 29 vjeç, banues në Durrës dhe V.K., 23 vjeç. Si dhe u proceduan në gjendje të lire 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 8 shtetas.
Këta shtetas ditën e djeshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.
Gjithashtu kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta,lëndë piroteknike duke lënduar 16 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë. Si dhe kanë thyer me gurë disa automjete të policisë”, njoftoi Policia ditën e arrestimit.
Kujtojmë se tre ditët e fundit protesta të dhunshme kanë përfshirë kryeqytetin si shprehje e revoltës ndaj vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Protesta e të mërkurës u shoqërua me një konfrontim fizik mes protetuesve dhe forcave policore, si dhe zemërimi qytetar solli sulmimin e institucioneve më të rëndësishme në vend, si Ministria e Brendshme dhe kryeministria.
Dy ditë më parë, përplasjet e para mes uniformave blu dhe të pranishmëve në tubim u regjistruan pak pasi kryeministri nisi fjalimin e tij drejtuar qytetarëve. Në ato momente turma e irrituar u përplas me uniformat blu, të cilët iu kundërpërgjigjën në mënyrë të menjëhershme me gazlotsjellës.
Gjatë fjalimit të tij Rama njoftoi se ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen pas ngjarjes të rëndë. Gjithashtu numri 1 i qeverisë deklaroi se vrasja e 25-vjeçarit është një episod i shkëputur dhe nuk paraqet frymën e Policisë së Shtetit.
Por mesa duket as dorëheqja e ministrit nuk i ka qetësuar protestuesit të cilët po vijojnë të organizojnë tubime të njëpasnjëshme, dhe kësaj here ata kërkojnë larfgimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, kërkesë të cilën kryeministri Rama e ka refuzuar kategorikisht.
Protestat e njëpasnjëshme vijnë si produkt i ngjarjes së rëndë të mesnatës së dtitës së martë, ku një efektiv policie qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodia Rasha 50 metra larg oborrit të shtëpisë së tij, pasi i riu nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. Rasha gjeti vdekjen nga 2 plumba pas shpine, teksa përpiqej të largohej me shpejtësi, ndërsa efektivi që kreu vrasjen u arrestua në orët e mëvonshme. Në deklaratën që ai dha para SHÇBA u shpreh se ‘iu duk se i riu kishte armë’.
(A.M/Faxweb.al)
/faxweb
