Dhjetëra të rinj në Durrës dhe Elbasan po protestojnë ditën e sotme pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Në Durrës të rinjtë kanë hedhur kapsollë, si dhe kanë marshuar drejt qendrës së qytetit, ndërkohë që policia ka shoqëruar dy prej tyre.
Sakaq në Elbasan të rinjtë u kanë vënë zjarrin një peme, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e policisë që të neutralizojë turmën.
Kujtojmë se ditët e fundit protesta të dhunshme kanë përfshirë kryeqytetin dhe disa qytetet në mbarë vendin, si shprehje e revoltës ndaj vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Protestat janë shoqëruar me konfrontime fizike, ndërmjet policisë dhe protestuesve, ndërkohë që këto të fundit kanë bërë thirrje vazhdimisht për “Drejtësi për Klodianin”.
Pas protestës së parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen pas ngjarjes të rëndë. Gjithashtu numri 1 i qeverisë deklaroi se vrasja e 25-vjeçarit është një episod i shkëputur dhe nuk paraqet frymën e Policisë së Shtetit.
Por mesa duket as dorëheqja e ministrit nuk i ka qetësuar protestuesit të cilët po vijojnë të organizojnë tubime të njëpasnjëshme, dhe kësaj here ata kërkojnë largimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, kërkesë të cilën kryeministri Rama e ka refuzuar kategorikisht.
Protesta e njëpasnjëshme vijnë si produkt i ngjarjes së rëndë të mesnatës së ditës së martë, ku një efektiv policie qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha 50 metra larg oborrit të shtëpisë së tij, pasi i riu nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. Rasha gjeti vdekjen nga 2 plumba pas shpine, teksa përpiqej të largohej me shpejtësi, ndërsa efektivi që kreu vrasjen u arrestua në orët e mëvonshme.
/faxweb
