Skip to content

“Më ka prekur babai i Klodianit, dha mesazhe mençurie”, Gjermeni: Protestat janë legjitime, por jo dhuna

Deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni ka qenë e ftuar në studion e lajmeve të Fax Neës, ku ka komentuar protestat e fundit në vend, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga një punonjës i Policisë së Shtetit. Gjermeni tha se protestat e qytetarëve kanë qenë legjitime, por në momentin kur ato janë shndërruar të dhunshme nuk mund të justfikohen.

Sipas saj mesazhin më të mirë në këto ditë e ka dhënë babai i vetë Klodianit, për të cilin deputetja tha se ka kërkuar që hetimet për ngjarjen të priten me qetësi, dhe që në fund të vendoset drejtësia.

“Ka qenë një stres shumë i madh dhe për ne të gjithë, është një akt tragjik, një punonjës i Policisë së Shtetit tejkaloi forcën e tij, derimë tani në mënyrë të pashpjegueshme. Protestat pas kësaj ngjarje unë i konsideroj legjitime, pasi janë tregues se ndërgjegjësimi qytetar është duke u rritur.

Jam e prekur nga dhuna që është ushtruar ndaj punonjësve të Policisë, ndaj pronës publike, ne nuk mund të dënojmë njëlloj dhune dhe të legjitimojmë njëlloj dhune tjetër. Dhuna e tejkalon pjesën e reagimit qytetar, është manipuluar politikisht, dhe dua ta theksoj këtë, që kjo i hedh vetëm benzinë zjarrit, duke shkaktuar pasiguri te qytetarët.

Veprimi episodik i një punonjësi Policie, nuk mund të hedhë poshtë punën dhe mundin e të gjithë punonjësve të Policisë. Padyshim që qytetarët shqiptarë dmeritojnë të kenë një polici më të ndjeshme dhe vrasja e Klodianit është një kambanë alarmi, është reformuar në vite, por padyshim që kemi ende shumë për të bërë. Është për të ardhur keq, përdorimi që iu bëhet minorenëve, të cilët janë të paaftë për të kuptuar nivelin e veprimeve që ata bëjnë, nxisin njëlloj modeli që gjeneron dhunë.

Më ka prekur reagimi i babait të Klodianit, që edhe në një moment të tmerrshëm për ta kanë ditur që të japin mesazhe mençurie. Nuk mund ta vendosim ne sesi do të mbyllen hetimet, ne presim që ato të jenë të plota, dhe të dilet në përfundime se si duhet të ndodhin rekrutimet e Policëve, që ngjarje të tilla të mos ndodhin më”, u shpreh Gjermeni.

E pyetur nga gazetarja Denisa Ruzi për shoqërimin e shumë të miturve pas protestave, Gjermeni tha se duhet të tregohet kujdes, dhe se ata të pyeten gjithnjë në prani të psikologut.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb