Kolegji Elektoral mblidhet të hënën për të zgjedhur zyrtarisht Joe Bidenin si fitues të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të mos e njohë rezultatin. Mijëra përkrahës të presidentit u mblodhën në Uashington me thirrjet për përmbysjen e rezultatit.
Procesi zgjedhor për presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk quhet i përmbyllur deri kur elektorët nga të 50 shtetet amerikane, të zgjedhur në raport me popullatën dhe si reflektim i numrit të ligjvënësve e senatorëve që ka shteti përkatës në Kongres, hedhin votat më 14 dhjetor. Përveç dy shteteve amerikane, elektorët e të 48 shteteve të tjera duhet të votojnë për kandidatin që fitoi zgjedhjet në shtetin e tyre.
Të gjitha shtetet i kanë çertifikuar tashmë rezultatet dhe zoti Biden ka dalë fitues me 306 vota elektorale, ose 36 më shumë se minimalja e kërkuar për të siguruar fitoren. Për sa kohë që nuk do të ketë ndonjë shtyrje të shpalljes së rezultatit nga gjykata, të hënën zoti Biden pritet të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale.
Gjykatat federale e shtetërore kanë hedhur poshtë dhjetëra padi të ngritura nga ekipi elektoral i presidentit në përpjekje për të skualifikuar vota, apo për të përmbysur rezultatin në shtete të lëkundura ku u shpall fitues zoti Biden. Gjykata e Lartë nuk pranoi të merrte në shqyrtim një padi të ngritur nga një prokuror i Teksasit për të anuluar rezultatin në katër shtete të tjera, duke mbyllur praktikisht pistat ligjore të presidentit.
I WON THE ELECTION IN A LANDSLIDE, but remember, I only think in terms of legal votes, not all of the fake voters and fraud that miraculously floated in from everywhere! What a disgrace!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) December 12, 2020
Megjithatë, presidenti mbetet sfidues dhe ka sinjalizuar se nuk po heq dorë nga pretendimet e tij. “SAPO E KEMI FILLUAR BETEJËN, shkruante ai të shtunën në Tëitter. “I FITOVA ZGJEDHJET ME DIFERENCË DËRRMUESE!”
Ndërkohë, po të shtunën, mijëra përkrahës të tij të zjarrtë u mblodhën në Uashington duke kërkuar që presidenti të mbetet në post për një mandat tjetër. Pati edhe përleshje mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit. Katër vetë u dërguan në spital me plagë nga armë të ftohta dhe 23 u arrestuan, sipas rajonit policor të Uashingtonit./VOA
/faxweb
