Skip to content

Uashingtoni në alarm: sulm haker mbi Departamentin e Tregtisë, vjen era Rusi

Qeveria amerikane konfirmoi se rrjeti i saj i informacionit ishte shënjestra e një sulmi haker, i cili ishte përqendruar në Ministrinë e Tregtisë.

Zyrtarët amerikanë nuk i dhanë shumë detaje publikut, me përjashtim të një konfirmimi nga Departamenti i Tregtisë se një nga rrjetet e administratës së saj ishte hakuar.

Ministria gjithashtu raportoi se i kishte kërkuar Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Infrastrukturore dhe FBI të fillonin një hetim.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar John Ullyot shtoi se ata ishin “duke marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe zgjidhur problemet e mundshme në lidhje me situatën”.

Qeveria nuk ka identifikuar publikisht autorët e mundshëm të sulmit.

Futja e një kodi “hajdut”

Spiunët kibernetikë besohet se kanë arritur të depërtojnë në rrjet duke futur në mënyrë të përsëritur kodin “hajdut” në versionet e rifreskuara të programeve SolarWinds, klientët e të cilëve janë, sipas burimeve pa emër, ekzekutivi, ushtria dhe shërbimet e inteligjencës.

SolarWinds deklaron në faqen e saj të internetit se klientët e saj janë shumica e kompanive më të pasura amerikane, 10 ndërmarrjet kryesore të telekomunikacionit amerikan, të pesë komandat ushtarake amerikane, Departamenti i Shtetit, NSA dhe zyra e presidentit.

Një zëdhënëse e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës shprehet se “ata po punojnë ngushtë me agjencitë partnere për aktivitetet e zbuluara së fundmi në rrjetet qeveritare.

“CISA siguron ndihmë teknike për organet qeveritare që janë sulmuar për të identifikuar dhe zbutur pikat e mundshme të kompromisit.”

FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të Reuters për të komentuar mbi hetimin.

Softueri u rifreskua midis marsit dhe qershorit

SolarWinds tha në një deklaratë të lëshuar se softueri i tij, i rifreskuar  midis marsit dhe qershorit të këtij viti, mund të jetë komprometuar nga një “sulm i zinxhirit të furnizimit” të sofistikuar, të shënjestruar dhe manual të kryer nga një shtet “.

Tre burime të njohura me hetimin i thanë Reuters se Rusia aktualisht konsiderohej të ishte përgjegjëse për sulmin.

Në një deklaratë të postuar në Facebook, Ministria e Jashtme Ruse tha se pretendimet ishin një përpjekje tjetër e pabazuar nga media amerikane për të fajësuar Rusinë për sulmet kibernetike ndaj agjencive qeveritare amerikane.