Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj.
Kjo masë vjen pas protestave të shënuara ditë e fundit për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policise.
Policia iu bën apel që të zbatohen masat e miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për:
Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura,
Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;
Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;
Ndalimin e muzikës pas orës 20:00;
Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;
Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;
Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.
Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë.”
