Bisera Turkoviç, nënkryetare dhe ministre e Jashtme e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, tha se ata dëshirojnë të shohin më shumë investime turke në vendin e tyre.
Në një deklaratë të bërë në kryeqytetin Sarajevë, Turkoviç vlerësoi marrëdhëniet Bosnje-Hercegovinë-Turqi.
Turkoviç tha se kohët e fundit ka pasur mundësinë të takohet me homologun e saj turk Mevlut Çavusoglu në ngjarje të ndryshme me të cilin kanë biseduar për mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekzistuese dypalëshe dhe të bashkëpunimit.
Duke theksuar se populli ie Bosnjë-Hercegovinës e njohin Turqinë, drejtuesit e saj të lartë dhe kombin turk si miq, Turkoviç tha se ata duan të shohin më shumë investime turke në vendin e tyre.
Turkoviç rikujtoi se Turqia po përpiqet të mbështesë Bosnjë-Herzegovinën me shumë projekte, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Donacionet dhe dhuratat e dhëna për ne janë të shumta. Kryesore midis tyre është riparimi dhe rindërtimi i Urës së Mostarit dhe strukturave të tjera të zakonshme të trashëgimisë kulturore. Unë mendoj se të dy vendet me marrëdhënie të tilla miqësore duhet të kenë një vëllim të lartë dhe të përmirësuar të tregtisë”.
Ajo vuri në dukje se bashkëpunimi Turqi-Bosnjë-Hercegovinë duhet të pasqyrohet në fusha të tjera, duke shtuar se ata kanë njerëz të talentuar, të cilët kanë arritur suksese në vende të ndryshme, veçanërisht në prodhimin e dronëve, dhe se kjo duhet të shfrytëzohet.
Duke iu referuar autostradës Sarajevë-Beograd, e cila do të ndërtohet me mbështetjen e Turqisë, Turkoviç tha se Bosnjë-Hercegovina ka infrastrukturë të dobët dhe kjo i nevojitet absolutisht.
Ministrja Turkoviç preku edhe në vizitën e ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Bosnjë-Hercegovinë që do të realizohet më 14 dhe 15 dhjetor, ndërsa tha se si pjesë e vizitës do të nënshkruhen marrëveshjet e bashkëpunimit dhe planet e veprimit midis vendeve.
Turkoviç vuri në dukje që vizita e Lavrovit është e rëndësishme për Bosnjë-Hercegovinën dhe shtoi se “Kjo vizitë tregon qasjen e Rusisë ndaj Bosnjë-Hercegovinës, institucioneve dhe sovranitetit të vendit”.
