Skip to content

Tomori – Tirana bëjnë ‘’paqe’’ të ‘’nxehtë’’

Tomori 2-2 Tirana

Shënues: Kopaçi 24’, Paja 55’(11m)/Bishaj 13’, Greca 84’

Tomori: Kaloshi, Bitri, Daci, Mersini, Gjonaj(Buba 80’), Hyseni(Koleci 65’), Myzyri, Paja, Sharavolli, Kopaçi, Mitraj(Drabo 76’). Tr. G. Arbri

Tirana: Abibi, Doka, Bishaj, Cake, Ismajlgeci(J. Celhaka 59’), A. Celhaka, Qilimi, Vrapi(Greca 69’), Halili, Bardhi(Karabeci 70’), Muçi. Tr. Ze Maria

Kartonë të verdhë: Mersini, Gjonaj, Kopaçi, Myzyri/Qilimi, Cake

Tomori dhe Tirana u takuan për herë të fundit në këtë sezon por kjo ishte edhe ndeshja e parë nga ato katër të zhvilluara që u luajt në Berat. Të dy skuadrat kishin ndryshime të rëndësishme në fushë ku trajneri Arbri në mungesë të Çaços kishte vendosur një mbrojtje me tre dhe duke e fokusuar vëmendjen në mesin e fushës. Në krahun tjetër Tirana vinte me shumë ndryshime për shkak dëmtimesh apo penalizimesh por edhe zgjedhje e Ze Marias për të provuar lojtarë të rinj.

Ndeshja nis e qetë me të dy skuadrat që luajnë me kujdes duke studiuar njëra – tjetrën pa nisur me sulmet në portat respektive. Por është Tirana ajo që shënon e para dhe pasi merr pak territory në fushë ndërton një gol model pas një goditjeje standarte. Celhaka pason shkurt për Halili që pasi hyn në zonë dërgon një top në zemrën e saj ku gjen Bishën, i cili devijon në portë një gol, si ish.

Tomori këtu nis të reagoj për t’iu përgjigjur bardhebuve ku është fillimisht sulmuesi Mitraj që nuk devijon si duhet një top drejt zonës nga Sharavolli. Në minutën e 23’ gjyqtari ndal ndeshjen për tu dhënë futbollistëve një moment pushimi. Menjëherë pas saj Tomori shënon me Hyseni që kap në befasi mbrojtjen e Tiranës me një top në thellësi dhe gjen të zbuluar Kopaçin dhe Mitrajn me kuçovarin që provon një parabël ndaj Abibit që përfundon në rrjetë. Ndërsa Mitraj duhet vetëm të shoqëroj topin pasi për të ishte gati flamuri ia nësorit për pozicion jashtë loje.

Ndërkohë pas këtij momenti janë tifozët e Tiranës, të cilët hedhin tymuese në fushë duke nxitur një varg sharjes nga tifozët beratas. Për të qetësuar situatën gjyqtari dërgon kapitenët e skuadrave të flasin me tifozët e tyre dhe loja mund të rifilloj. Deri në fundin e këtij fraksioni është Tomori ai që kërkon të marrë frenat e lojës por pa u shfaqur rrezikshëm në portën e Abibit.

Pjesa e dytë nis më e vrullshme për të dy skuadrat me Tomorin që shfaqet më kërkues dhe kjo lojë do të shpërblehet. Është Sharavolli ndërmerr një inkursion nga e djathta dhe ndërpritet nga një faull i Cakes në zonë. Ka penallti për Tomorin dhe karton të verdhë për mbrojtësin e ri bardheblu, të cilën e kthen në gol mbrojtësi Paja dhe për herë të parë Tomori kalon përpara.

Ze Maria nuk dëshiron ta humbas ndeshjen dhe shtyn skuadrën përpara duke hedhur në fushën e lojës edhe Karabecin me Grecën. Efekti është i menjëhershëm dhe Tirana sheh më shumë nga porta e Tomorit. Në minutën e 71’ është Celhaka që ka një mundësi të mirë por pa ia dalë të shënoj dhe goli do të vinte vetëm në fund nga një goditje standarte. Provon Greca me një goditje të saktë duke barazuar kështu shifrat duke mos lejuar që Tirana të dalë e humbur në Berat.

Në fund ka kohë edhe për një tjetër gol të Tomori ku pas një aksioni të zgjatur nga goditja e këndit është Paja që e ndal në rrjetë topin por goli ishte në pozicion jashtë. Ndërkohë që beratasit kanë protesta për rastin ndeshja mbyllet me të dy skuadrat që marrin nga një pikë në këtë sfidë. Kështu Tomori vazhdon të qëndroj në vendin e tretë ndërsa Tirana me Superioren e siguruar pret vetëm finale ndaj Kastriotit.Berati.TV

Golat:

Min 12’ Aksion model i Tiranës me Celhakën, Halilin dhe në fund Bishaj që depoziton në rrjetë. 0-1

Min 24’ Tomori kap në befasi mbrojtjen e Tiranës dhe Kopaçi me një parabël barazon shifrat. 1-1

Min 55’ Paja godet saktë nga pika e bardhë për të kthyer në gol penalltinë e fituar nga Sharavolli. 2-1

Min 84’ Greca me një goditje standarte barazon shifrat pas një goditjeje të kalibruar. 2-2

Prononcimet:

Në fundin e ndeshjes trajneri Tomorit, Gersi Arbri është i kënaqur me skuadrën e tij por ka dyshime për golin e anulluar

Gersi Arbri(Trajner i Tomorit): për ndeshjen… më duhet ti falenderoj djemtë për ndeshjen e luajtur dhe guximin e personalitetin që treguan.

Kampionati… edhe sot treguam se ne po vazhdojmë të luajmë sezonin tonë pa u ndalur dhe me besim deri në fund pavarsisht se objektivat janë mbyllur.

Goli i anulluar… me aq sa kuptova goli ishte i rregullt por duhet që specialistët të flasin për këtë gol pasi të rishihen pamjet.

Ndërsa Ze Maria më shumë se për ndeshjet duhet të flas për Tiranën e tij edhe atë të sezonit të ardhshëm.

Ze Maria(Trajner i Tiranës): për rinovimin… jam i kënaqur për atë që kemi arritur dhe ende kam kohë për të folur me presidentin mendoj se ka shumë pak për të diskutuar dhe unë do të jem sërish ëktu edhe vitin tjetër.

Për skuadrën aktuale… kjo është një skuadër e mirë dhe mendoj se 50-60%  ajo është një skuadër e Superiores dhe duhen diku 5-6 afrime të denja për ta përballur sezonin e ri. Flasim për futbollist të afirmuar.

Objektivat… tashmë duhet të provojmë disa djem të rinj që kanë luajtur pak ose janë stërvitur me ne për ti dhënë kohën ta tregojnë veten dhe më pas ndeshja e fundit ndaj Bylis është përgatitja për finalen ndaj Kastriotit.

Për Tomorin… është një skuadër që më pëlqen dhe gjithmonë na ka hapur problem. Luajnë mirë dhe me karakter dhe ndonjë futbollist i Tomorit edhe mua më pëlqen por tani nuk mund të përmend emra.

Të veçanta:

Ndeshja me Tiranën ngjalli interes tek tifozët beratas por edhe një grup të tifozëve nga kryeqyteti me banerin “Ëhite Blue”.

Në minutën e 30’ tifozët bardheblu hodhën disa tymuese në pistën e stadiumit dhe kjo solli sharje nga tifozët e Tomorit.

Në fundin e ndeshjes një grup i vogël tifozësh të Tomorit u grumbulluan në rrugën ku kalon autobuzi i tifozëve të Tomorit por Policia e shmangu një konfrontim të mundshëm.

Në tribunën VIP ishte jo vetëm presidenti i Tiranës, Refik Halili por edhe disa futbollist të Tiranës që nuk ishin përzgjedhur të ishin të gatshëm për skuadrën.

Në momentin që Tomori fiton penalltinë një tifoz në tribunën VIP kërkon që penalltinë ta godas Çaço port ë tjerët i tregojnë se mesfushori ishte vetëm tre shkallë më poshtë në të njëjtën tribunë dhe kjo solli të qeshura në atë pjesë të tribunës.

Një moment në fundin e ndeshjes Sharavolli bie në tokë i dëmtuar dhe Greca nxjerr topin jashtë vijës anësore të fushës por kjo sjell reagimin e teknikut brazilian ndaj mesfushorit të tij duke i kërkuar vazhdimin e lojës.

Pas mbylljes së ndeshjes gjithçka ishte e qetë me drejtuesve të klubit që pasi panë ndeshjen sëbashku u larguan me urime të ndërsjellta. Të njëjtën gjë bënë edhe dy trajnerët.

Pas mbylljes së ndeshjes futbollistët e stolit te Tirana që nuk luajtën vazhduan me një seancë të reduktuar stërvitore.