Skip to content

Rama ideator për ndarjen e rajoneve? Përgjigjet Meta: Qëndrimi im është i qartë, idetë për ndryshim kufijsh i shërbejnë vetëm atyre që do rehabilitojnë të kaluarën kriminale

Presidenti Ilir Meta mban të njëjtin mendim se kryeministri Edi Rama është ideator për ndarjen e rajoneve. Në konferencën për mediat, Meta tha se idetë për ndryshimin e kufijve janë të tmerrshme, provojnë se janë kriminale dhe nuk sjellin gjë tjetër veçse armiqësisë dhe shpopullimit dhe i shërbejnë vetëm atyre që kërkojnë të rehabilitojnë të kaluarën kriminale në Ballkan.

Ilir Meta: Qëndrimi im ka qenë dhe është i qartë se çdo ide për ndryshim kufijsh në Ballkan është i tmerrshëm, siç e tha dhe zonja Osmani pak më parë sepse është provuar që është kriminal, që sjell shkatërrim, armiqësi, dëme të jashtëzakonshme, edhe shpopullim dhe në këtë drejtim nuk mendoj që ka vend për të ndodhur ndonjë eksperiment në rajonin e Ballkanit. E vetmja rrugë e përbashkët është ajo e integrimit europian dhe e aplikimit të standardeve për të drejtat e tyre në çdo vend dhe çdo shtet.

Ky ka qenë qëndrim i qartë që është dhe do të jetë gjithmonë i imi. Të gjitha institucionet e Shqipërisë, për 20 vite kanë patur dhe kanë këtë qëndrim. Cilido që del në mënyrë publike apo informale jashtë këtyre qëndrimeve, bën ndonjë politikë që nuk është as në shërbim të Republikës së Shqipërisë, as shtetit shqiptar, as interesit kombëtar. Kuptohet që i shërben vetëm atyre që kërkojnë të rehabilitojnë të kaluarën kriminale në Ballkan përmes riaktivizimit të ideve të tilla.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb