Skip to content

KLP mblidhet mes polemikave, s’ka kandidatura për prokuroritë e rretheve/ A do mbyllen sytë për magjistratët e dënuar?!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë seancën e radhës për shqyrtimin e kandidaturave për drejtues të prokurorive të rretheve, të Shkallës së Parë dhe Apelit. KLP pritet të vendos çfarë duhet të bëjë, pasi për disa prokurori nuk ka kandidat. Për disa të tjera rezulton se kandidatët i kanë çuar dokumentet jashtë afatit ligjor.

Për prokuroritë kryesore, si Tirana, Durrësi, Lezha, ka vetëm nga një kandidatë në garë. Mbledhja pritet të zgjas disa orë, duke qenë se polemikat dhe emrat në garë janë të shumtë. Kujtojmë që prej disa muajsh, sistemi po haset me vakanca për shkak të vetingut në Drejtësi.

Në rend dite gjithashtu është edhe shqyrtimi i dy magjistratëve, që kanë përfunduar shkollën e Magjistraturës dhe presin emërimin, por duke qenë se janë të dënuar më herët, pritet që ata të përjashtohen nga Sistemi, kjo sepse Euralius, i ka çuar mendim KLP-së dhe rekomandon që asnjë i dënuar nuk duhet të jenë pjesë e gjyqësorit.

Të dy magjistratët janë të dënuar për vepra të lehta dhe Komisioni i KLP kishte rekomanduar emërimin e tyre, megjithatë Euralius del kundër dhe rekomandon miratimin e një ligji që i heq të drejtën personave të dënuar që të synojnë Sistemin e Drejtësisë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb