Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se as në të ardhmen e Turqisë, as të Irakut e Sirisë nuk ka vend për terrorizmin separatist.
Erdogan doli në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Irakut, Mustafa al-Kazimi, i cili erdhi për një vizitë në Ankara.
Në fjalimin e mbajtur këtu Erdogan tha: “Ne i kushtojmë rëndësi ruajtjes së unitetit politik dhe integritetit territorial të Irakut. Ne jemi të gatshëm të japim të gjitha llojet e kontributeve brenda kornizës së rindërtimit. Me të nderuarin al-Kazimi ramë dakord për të vazhduar luftën tonë kundër organizatave terroriste DAESH, PKK dhe FETO, të cilat janë armike të përbashkëta”.
“Ne e shohim të gjithë popullin e Irakut si vëllain tonë pa bërë dallim sektar ose etnik. Në të ardhmen e Turqisë, Irakut e Sirisë nuk ka vend për terrorizmin separatist. Rajoni ynë nuk do të jetë në paqe pa shtypur tërësisht kokën e terrorit”, tha Erdogan.
Kreu i qeverisë turke theksoi se së shpejti planifikon një vizitë në Irak.
“Ne shohim se mund të arrijmë lehtë objektivin tonë prej 20 miliardë dollarësh vëllim tregtar me Irakun. Me riparimin e linjës së shkatërruar nga DAESH-i, ne duam që nafta e Kirkukut të ofrohet përsëri në tregjet botërore dhe në sasi më të lartë. Shpresojmë që të zhvillojmë takimin tonë të Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë në Irak sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do të zhvillojmë një vizitë në Irak”, tha Presidenti i Turqisë.
Kurse al-Kazimi tha: “Turqia jo vetëm që është një vend i rëndësishëm në Lindjen e Mesme por dhe një nga partnerët tanë më të rëndësishëm ekonomikë”.
Duke tërhequr vëmendjen se është e pamundur që Iraku të tolerojë ndonjë strukturë që kërcënon Turqinë, al-Kazimi tha: “Në Irak, shkatërrimin e lënë pas nga DAESH-i, mund ta rindërtojmë me bashkëpunim me Turqinë”.
