Skip to content

Sentop paralajmëroi Maqedoninë e Veriut për FETO-n

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Sentop, paralajmëroi në lidhje me organizatën terroriste FETO në Maqedoninë e Veriut, ku ai erdhi për vizitë me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se dëshiron të hidhen hapa për këtë çështje brenda një kohe të shkurtër, pasi nuk dëshiron që vendi të dëmtohet.

Në një takim me Kryeministrin Zoran Zaev në Shkup, Kryeparlamentari turk Sentop shprehu falënderime për pritjen e ngrohtë.

“Ne kemi ardhur këtu me një delegacion të madh. Këtu janë edhe bashkatdhetarët tanë edhe komunitetet mike. Ne gjithmonë vijmë këtu shumë të lumtur. Për fat të keq, pandemia është zgjatur. Nuk duam që kjo të pengojë marrëdhëniet tona”, tha Sentop.

Turqia gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut, vuri në dukje Kryeparlamentari turk.

“Sërish, uroj që anëtarësimi juaj në NATO të jetë i dobishëm”, shtoi ai.

Sentop theksoi se objektivi në vëllimin tregtar midis dy vendeve është 1 miliard dollarë dhe deklaroi se do ta arrijnë këtë pa lejuar që pandemia ta prishë atë dhe pa u ngadalësuar.

Duke nënvizuar se ata inkurajojnë biznesmenët turq të investojnë në Maqedoninë e Veriut, Sentop tha se i mbështesin biznesmenët në fushën e mbrojtjes, gazit natyror dhe industrisë.

Sentop deklaroi se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis dy vendeve duhet të azhurnohet dhe se ata do ta realizojnë këtë në një kohë të afërt.

Si shtoi se parashohin që Maqedonia e Veriut të jetë një qendër atraktive në fushën e arsimit, duke theksuar se ka pasur përparime të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) dhe Fondacionit Maarif i Turqisë dhe se mendon se do ketë kontribut edhe më të madh në arsimin e vendit me një investim shumë më të madh.

Kryeparlamentari turk deklaroi se historia e njerëzimit mund të ndahet si para dhe pas pandemisë.

“Ne gjithnjë investuam në njerëz në këtë periudhë. Osman Gaziut, themeluesit të Perandorisë Osmane, i jepet kjo këshillë nga Shejh Edebali: ‘Mundësoja njeriut të rrojë, që të rrojë shteti’. Ne këtë thënie botës ia themi kështu: Mundësojuani njerëzve të rrojnë, në mënyrë që të rrojë bota”, tha Sentop.

Ai bëri të ditur se në botën e ndërthurur duhet të ekzistojë një ideal i një bote me paqe, drejtësi dhe të drejta të barabarta.

“Njerëz me origjinë të ndryshme etnike jetojnë në paqe në Maqedoninë e Veriut. Kjo duhet të jetë një shembull për botën”, tha Kryetari i Parlamentit turk.

Më tej ai potencoi se FETO është një organizatë terroriste ndërkombëtare që u përpoq të kryejë grusht shteti në Turqi, duke shtuar se kjo organizatë shënjestron shtetin në cilindo vend që vepron.

Sentop deklaroi se anëtarët e FETO-s maskojnë çdo punë që bëjnë.

“Ne nuk duam që ta dëmtojë vendin tonë miqësor dhe vëllazëror. Këto janë organizata të deleguara të disa shteteve. Nuk duam që Maqedonia e Veriut të dëmtohet, prandaj dua që të ndërmerren hapa së shpejti në këtë çështje”, tha Sentop.

Nga ana tjetër, Zaev deklaroi se Turqia gjithmonë ka qenë mbështetësi më i madh i Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se Turqia nuk ka qenë vetëm miku më i madh i vendit, por gjithashtu edhe një nga investitorët më të mëdhenj.

Duke vënë në dukje se mijëra investitorë dhe biznesmenë turq janë në front të parë, Zaev tha se ata duan të emërtojnë zonën e përbashkët tregtare që ata planifikojnë të krijojnë në Maqedoninë e Veriut si “Mustafa Sentop”, sepse ai është një nga lidhjet më të mëdha midis dy vendeve.

Zaev po ashtu tha se e dinë që edhe Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan e do Maqedoninë e Veriut.

“Tanimë jemi edhe aleatë të NATO-s. Turqia është mbështetësi ynë më i rëndësishëm. Ne do të bëjmë punë më të mira me mbështetësit tanë më të mëdhenj”, tha Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Zaev tha se në Turqi ka studentë nga Maqedonia e Veriut, ashtu siç ka studentë të Turqisë në Maqedoninë e Veriut.

“Ne gjithashtu kemi dy parti të mëdha turke këtu. Deputetët dhe burokracia jonë gjithashtu përfshijnë turqit. Atajanë element përbërës këtu”, deklaroi Zaev.

Duke bërë të ditur se kreu i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut është i komunitetit turk, Zaev tha se kjo është pika e merituar në të cilën kanë arritur turqit. “Komuniteti turk është një komunitet shumë i madh”, theksoi ai.

Pasi u prononcua mbi çështjen e luftimit të organizatës terroriste FETO, Zaev tha: “Ministria jonë e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë janë gati. Ne do të veprojmë menjëherë pas dosjeve të vendimeve që do të vijnë nga ana juaj. Sigurisht, ne nuk duam që kjo organizatë të na dëmtojë edhe ne”.

Duke deklaruar se fabrika e kabllove, e cila është një investim i ri turk, do të punësojë 400 deri në 800 persona, Zaev bëri një kërkesë nga Sentop për të inkurajuar më shumë biznesmenët turq.

Sentop gjithashtu është takuar edhe me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi dhe Presidentin Stevo Pendarovski. (AA)