Skip to content

Vjosa Osmani: Të mos lejojmë që e vërteta për Kosovën të përmbyset para syve tanë!

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një vizitë tre ditore në Shqipëri, ku është takuar me autoritete e larta shtetërore të Tiranës zyrtare.

Fillimisht ka bërë një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Lezhë.

Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.

Sipas saj, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.

Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Më pas, Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani, ndërkohë ajo është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti Ilir Meta,

Meta dhe Osmani, kanë theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të mbajtur gjatë vizitës së Osmanit në Tiranë, Meta tha:

“…Ishte kënaqësi e veçantë. I urova përzemërsisht mirëseardhjen dhe e kam e siguruar për dëshirën dhe vullnetin tim të palëkundur për të kontribuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona vëllazërore dhe të për lehtësuar bashkëpunimin tonë duke dhënë të gjithë energjitë dhe mundësitë ende të pashfrytëzuara në shërbim më të mirë të së ardhmes së dy vendeve tona dhe jo vetëm. Dua ta falënderoj presidenten Osmani për sinqeritetin dhe vullnetin e saj për ta forcuar këtë bashkëpunim, sidomos për çështjet më jetike për vendet tona, qytetarët tanë, të rinjtë tanë por edhe në rrafshin rajonal, por edhe më gjerë. Vlerësuam të gjitha mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin midis dy vendeve tona, veçanërisht nëpërmjet konkretizimit të partneritetit strategjik, në mënyrë që të jemi një shembull edhe sa i takon standardeve të demokracisë, por edhe sa i takon përparimit të procesit te integrimit evropian të vendit tonë. Jam i sigurt që kjo vizitë dhe çdo shkëmbim tjetër pas saj do të na shërbejë të gjithëve për të forcuar më tej frymën e bashkëpunimit, për të pasuruar në mënyrë më konkrete marrëdhëniet tona, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht për të konfirmuar faktin se Shqipëria dhe Kosova mbeten faktorë të rëndësishëm të orientimit euroatlantik të këtij rajoni dhe garant të rëndësishëm për paqen, stabilitetin edhe bashkëjetesën në këtë rajon…”, tha më tej Meta,

Presidenti ka vlerësuar dhe sfidën e fundit të Kosovës dhe të ish-drejtuesve të UÇK-së për të konfirmuar të vërtetën dhe për të hedhur poshtë akuzat për krime gjatë luftës.

“…Vlerësova qëndrimin dinjitoz dhe shpreha mbështetjen time ndaj UÇK dhe institucioneve të Kosovës për t’u përballur me drejtësinë për të konfirmuar dhe njëherë drejtësinë e Kosovës. Shteti i Kosovës ka përpara shumë sfida. I shpreha falënderimin për ndihmën që ka dhënë Kosova në nxjerrjen nga rrënojat e viktimave nga tërmeti i vitit të kaluar. Kosova në OKB i shërben stabilitetit të Ballkanit. Kjo është një vizitë që do të na shërbejë të gjithëve të bashkëpunojmë më ngushtë…”, tha Meta.

Nga ana e saj, Vjosa Osmani u shpreh se:

“…është kënaqësi që përkundër sfidave të pandemisë arritëm që të realizojmë këtë vizitë e cila jo vetëm që do të rikonfirmojë raportet e shkëlqyeshme, unë nuk i quaj vëllazërore, zoti President, por raport mes dy motrash, sepse janë edhe më të sinqerta kur përmendet motrat. Në të njëjtën kohë të shohim si të eliminojmë cilëndo barrierë, sado e vogël që mund të duket tani, në mënyrë që të dy shtetet të ecin bashkërisht si dy shtete sovrane që kanë flamujt të ndryshëm, por jo vetëm në identitet por në shpirt gjithnjë kanë luftuar, nuk janë ndalur dhe në të njëjtën kohë nuk janë mposhtur, pavarësisht sfidave…’’.

Osmani ndër të tjera ka theksuar se ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë janë të padrejta, pasi e gjithë bota e di se Serbia ka bërë gjenocid dhe në lidhje me këtë ajo thekson se është e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën për gjenocidin…

Po në ditën e parë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti Vjosa Osmani, Presidente në detyrë si dhe  Kryetare  e Kuvendit e Republikës së Kosovës.

Ruçi, vuri në dukje se kjo vizitë, shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos për bashkëpunimin parlamentar, i cili është shumë i mirë, por duhet të vazhdojë të zgjerohet e fuqizohet.
Osmani, falënderoi kryetarin e Kuvendit për bashkëpunimin, ndihmën dhe kontributin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës. “Ne duhet të bashkëpunojmë që e vërteta për Kosovën të mos përmbyset para syve tanë.  Duhet të tregojmë e ritregojmë të vërtetën e Kosovës. Duhet të punojmë për të kundërshtuar dhe rrëzuar argumentet e Serbisë që të mos njihet Kosova derisa të përfundojë dialogu. Duhet tua bëjmë të qartë të gjithëve se dialogu Kosovë-Serbi nuk është për statusin e Kosovës. Ne vlerësojmë kontributin dhe zërin e Shqipërisë në institucionet dhe mjediset ndërkombëtare ku Kosova nuk është e pranishme….”, nënvizoi  Vjosa Osmani.

Presidentja në detyrë e Kosovës mbajti një fjalë përshëndetëse në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së saj në Shqipëri është takuar edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Takimi Osmani-Rama është mbajtur pa praninë e mediaeve në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë.

Osmani është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Ajo gjithashtu ka vizituar Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, duke bërë homazhe dhe duke vendosur kurorë me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –