Kuvendi ka mbyllur sot sesionin parlamentar, ndërsa kreu i tij Gramoz Ruçi është shprehur se seanca e radhës do të jetë ajo e datës 18 Janar 2021.
Në këtë mënyrë palët politike në vend nuk arritën dot që të gjenin një kompromis për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, që ishte dhe një nga kërkesat e vazhdueshme të ambasadores Yuri Kim dhe Luigji Sorecës, por edhe një kusht për ecurinë e mëtejshme të integrimit europian të vendit.
Gjatë ditës së sotme KED i nisi Presidentit dy emra për anëtarin e gjashtë të Kushtetueses, por edhe në rast se Meta zgjedh njërin prej tyre, sa kohë që Kuvendi është pushim ai nuk do të miratohet dot brenda këtij viti. (lexo edhe ketu)
Po ashtu, edhe pse me 6 anëtarë në dukje funksionale, Gjykata Kushtetuese mbahet pezull sa kohë që nuk është krijuar ajo e Lartë, që sipas Kushtetutës ka të drejtën e përzgjedhjes së tre prej anëtarëve, për ta çuar numrin e përgjithshëm në 9.
Teksa dha njoftimin kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi nuk harroi që të apelonte qytetarët që të respektojnë protokollin anti-covid, dhe të tregohen të kujdesshëm me kontaktet e tyre gjatë festave të fundvitit.
Në seancën e fundit për këtë vit, Kuvendi miratoi me 100 vota pro në krye të ILDKPI Evgjeni Basharin, duke zëvendësuar në këtë post Shkëlqim Ganajn, të cilit i përfundoi mandati.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
