U pezullua mbrëmjen e djeshme operacioni për kapjen e Josif Kavajës në fshatin Selte të Elbasanit, i cili për disa orë me radhë terrorizoi bashkëfshatarët e tij se do ti vrisje me armë. Forcat Renea që po drejtojnë operacionin kanë rrethuar zonën ku mendohet se fshihet 45-vjeçari dhe zona do të qëndrojë e rrethuar gjithë natën.
Shkak për pezullimin e operacionit është errësira, ndërkohë që pas thirrjeve të fundit të punonjësve të RENEA-s, Kavaja nuk ishte përgjigjur, çka nuk përjashton pistën që ai mund ti ketë dhënë fund jetës.
Konflikti mes 45-vjeçarit dhe Policisë nisi për shkak të kontrollit që blutë shkuan për të bërë në banesën e tij, pas raportimeve të fqinjëve se ai mbante armë në shtëpi.
Kavaja ka qenë në lokal kur ka parë policët që po shkonin për kontroll dhe ka hyrë në shtëpi ka marrë kallashnikovin dhe ka qëlluar drejt tyre, dhe që fatmirësisht nuk kanë lënduar asnjë prej efektivëve.
Më pas ai është arratisur në pyll dhe policia e ka lokalizuar vendndodhjen. Kavaja është beqar, i pamartuar asnjëherë dhe nga Elbasani deri te shtëpia e tij, është afër 2 orë e 40 minuta, duke e bërë një nga fshatrat më të thellë të këtij qyteti.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
