“2020 viti i trazuar” është tema që po diskutohet në emisionin “Pushteti” nga Juela Mecani në Fax News ku janë të ftuar analisti Plator Nesturi, anëtari i Bindjes Demokratike Leonard Olli dhe gazetari Kastriot Çipi.
Secili prej tyre ka komentuar mënyrën se si goditi vendin tonë pandemia e koronavirusit ndërsa kanë shprehur kritika për menaxhimin nga ana e qeverisë. Ishte Kastriot Çipi që i cilësoi “skandaloze” këshillat e ekipit të ekspertëve, ndërsa Olli nuk la pa përmendur dhunën policore që është raportuar shpesh herë nëpër media.
Pjesë nga biseda
Çipi: Unë besoj se plandemia i ka goditur, i ka gjetur në befasi, nuk e kanë pritur që do të jetë kaq e ashpër, në dhunimin e lirive të të drejtave të tyre dhe nuk e kam pritur këtë bashkëpunim kaq të zellshëm të qeverisë me opozitën dhe më vjen keq që media vazhdon të flasë për pasoja të pandemisë. Nuk na i ka vënë maskat virusi por qeveria dhe është qeveria që do të na vaksinojë, jo virusi. Në këtë sens them se viti 2020 është i tmerrshëm. Presim që 2021 do të jetë më i keq.
Nesturi: Ai që është ekspert e di që doktori është ekspert në fushën e vet. Atë ekip specialistësh kemi, ata janë, si të jetë e majta, si të jetë e djathta. Mjekët janë ata që transmetojnë dhe po flasim përtej elementit të emergjencës shëndetësore
Çipi: Kundër atij ekipi mund të numëroj 10 raste skandaloze, injorante. Nuk ka njeri që më bind që janë mjekë kur thonë ndalohet që të shkosh në breg të detit. Ndalohet të futesh në det, ndalohen pishinat në verë. Janë Byro Politike. Edhe Enver Hoxha kishte byro politike që tha do ti tufizojmë edhe delet, edhe pulat.
Olli: Unë po ndalem në disa momente të menaxhimit të pandemisë që kanë të bëjnë me politika ku mendoj se kam nivelin e duhur. Tërheqja, shkelja e të drejtave të njeriut qoftë edhe me mënyrën si do të dilnim atje, në fakt nuk ka ndonjë gjë të keqe, gjithë bota e zgjidhi me një sms. Por po ju marr një rast flagrant nga Greqia, që para se të dilte shkruan se do të dalë për vrap dhe pa dërguar mesazhin, i kishte ardhur aprovimi. Tek ne nuk kishte aprovim dhe ti ishe i detyruar të përballeshe me dhunën policore direkt. Çfarë janë qeveritë në fund të fundit, nëpunës që paguhen nga ne, ndërkohë që ne kemi njerëz që kanë uzurpuar gjithçka. (A.M/Faxweb.al)
/faxweb
