Nga: Mustafë Bajrami
Një kohë shkruaja për Bashkësinë Islame dhe kërkoja ndryshime, reforma në punën e saj. Shkruaja për reforma, ndryshime edhe në interpretimin e Islamit (sidomos) tek ne. Pata përgatitur vizionin tim 7 faqe mbi punën e këtij institucioni dhe ia pata dorëzuar Muftiut të vendit. Në detaje pata skicuar mënyrën dhe pikat ku duhet të bëhen ndryshime, si dhe të fillohet me mbajtjen e seminarëve për artin e ligjërimit më të mirë. Megjithatë, nga njerëz të paditur dhe nga të tjerët që dëshironin status quon, kritikohesha ashpër se unë kinse po e luftoj Bashkësinë Islame(!)
Në vijën e reformave, ndryshimeve dhe prosperitetit të mundshëm të vendit tonë, kam shkruar për shtete e shoqëri të ndryshme. Kam përmendur raste të ndryshme si kanë punuar dhe në çka janë përqendruar popujt e tjerë. Si shembuj vazhdimisht merrja Gjermaninë, Japoninë dhe Turqinë. Si një dritare nga ku mund të lexohej jeta, shkruaja edhe për Lindjen e Mesme, për fatin e zi të atyre popujve si janë ndarë mes vete, si dhe për “Pranverën Arabe”. Kam thënë se, me gjithë nevojat për ndryshime atje, ajo “pranverë” ishte mashtrimi më i madh që iu bë botës muslimane në 100 vjetët e fundit. Përkundër mbështetjes së një numri t madh të lexuesve, edhe kësaj radhe kritikohesha e shahesha me arsyetimin se po e teproj duke shkruar për atje. Dhe se, siç me këshillonin injorantët, po identifikohem për së tepërmi me atë pjesë të botës(!)
Kam shkruar shumë për UÇK-në. Kam ndihmuar me të gjitha mjetet edhe bërjen e filmave për Adem Jasharin. Menjëherë pas lufte pata botuar shkrimin “Letër gjithë shqiptarëve” dhe pata paralajmëruar për ndarjet, ndasitë dhe problemet e mundshme që mund të na vijnë. Atë botë, kisha kërkuar që vlerat e UÇK-së të mbrohen me ligj. Kisha thënë gjithashtu se Raporti i Dick Marty duhet të merret seriozisht (katër shkrime të botuara), sikur që, kam thënë se duhet të mbrohen me ligj fytyrat emblematike të kombit shqiptar. Më vonë, kam vënë në spikamë se mosmarrja seriozisht Raportin famëkeq të Marty, Kosovës mund t’i sjell kokëçarje të mëdha. E kam kundërshtuar votimin e Gjykatës Speciale, kam kritikuar përshkrimet folklorike të luftës së UÇK-së dhe kam thënë se duhet të bëhen sa më shpejt tema masteri dhe doktorate për luftën e fundit. Asociacionin e Komunave Serbe e kam quajtur kanceri më i rrezikshëm për të ardhmen e shtetësisë së Kosovës. Për të gjitha këto, ose kam hasur në vesh të shurdhër, ose jam kritikuar në mënyrën më të ulët. Mbase edhe jam sha(!)
Kam kritikuar ashpër mënyrën e menaxhimit të arsimit në Kosovës. Kam qenë kundër themelimit të kaq shumë universiteteve dhe kolegjeve private. Kam kritikuar hapjen në për to të departamenteve të panevojshme dhe kam thënë se po bëhen mashtrime dhe me synim përfitimesh nga njerëzit që i hapnin ato. Natyrisht, në dëm të qytetarëve të vendit, në dëm të së ardhmes të rinjve tanë. Për fat të keq, edhe këtu jam kritikuar e jam sha. Mbase edhe kërcënuar(!)
Më pastaj, kam mbështetur një kryeministër në ardhje që premtonte themelimin e ushtrisë, se do ta luftojë korrupsionin, se do të punojë në drejtim të bashkimit kombëtar dhe se do t’i ndihmojë bashkësitë fetare nëpërmes pagesës së punonjësve të tyre sikur gjithë shërbyesit civilë të tjerë. Kam kërkuar nga ai që të themelohet Agjencioni Shtetëror për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, i kam dorëzuar skicën 6 faqe se si duhet të jetë ai Agjencion, kisha punuar një kohë të gjatë në te, dhe i kam propozuar gjëra me rëndësi në lidhje me këto tema. Të gjitha këto më pastaj i kam dorëzuar të protokoluara në Kryeministri.
Kam “ndihmuar” dhe kam mbështetur fuqishëm mbylljen e kumarhaneve nëpër qytetet e Kosovës (7 shkrime të botuara). Kam përshëndetur thellësisht kreministrin e atëhershëm që e realizoi këtë. Në të njëjtën periudhë, kisha kërkuar që qytetarët e Kosovës t’i mbushin sheshet, ti terronin rrugët dhe t’i bllokojnë hyrje-daljet e vendit në mënyrë që të mos lejohej dërgimi i serishëm në Hagë i ish-Kryeministri të Kosovës. Kisha menduar dhe doja të besoja se qytetarët dinë ta mbrojnë një kryeministër të tyre. Sepse ishte Kryeministër i Kosovës. Para kësaj, teksa i njëjti personalitet po bartej i lidhur duarsh nëpër rrugët e Parisit, pata shprehur gatishmërinë të bëja atë që mundja për ta mbrojtur personalitetin dhe fytyrën e një ish-komandanti të UÇK-së. Edhe kësaj radhe jam sha, jam quajtur naiv, jam kritikuar se kinse po nxis popullin, dhe se, siç thuhej në mijëra komente, unë qenkam musliman jo i mirë dhe njeri anti-kombëtar.
Kam kritikuar ashpër idenë e kosovarizmit. Kam luftuar idenë se shqiptarët e Kosovës janë tjerë nga shqiptarët e shtetit amë. Kam mbështetur dhe thirr botërisht bashkimin kombëtar, pa marrë parasysh rrethanat. Gjithashtu, kam thënë se fati i Kosovës duhet të nxjerret nga duart e politikanëve të korruptuar dhe injorantë që nuk dinë ta lexojnë të tanishmen, rrjedhimisht që po rrezikojnë të ardhmen kombit dhe të Kosovës. Me gjithë mbështetjen e një pjese të madhe të njerëzve, edhe këtu jam quajtur i padijshëm dhe jam sha. Mbase, me quanin anadollak, anti-kombëtar, anti-shqiptar dhe njeri që nuk ia do të mirën Kosovës(!)
Ka edhe shumë raste të tjera kur kam folur, këshilluar, kritikuar dhe dhënë mendime se si duhet të bëhet më mirë. Në të gjitha rastet e lartpërmendura, as nuk isha i vetmi e as i pari që shkruaja ashtu. E shpresoj se nuk do të jam as i fundit.
Edhe tani kur po kërkoj ndryshime, kur po i mbështes ato dhe kur po them se është koha përfundimtare të bëhen ndryshimet, me gjithë mbështetjen aq të madhe që kam marrë sidomos në këto ditët e fundit, një kategori e njerëzve të paditur mua me quajnë me emrat më të ulët. Për më tepër, tani në këto ditë kur po e ri-përsëris faktin se feja është institucion shumë i rëndësishëm për edukimin e njeriut, andaj ajo nuk bënë të hedhet matanë jetës sociale të shoqërisë sonë, disa që nuk kuptojnë dinamikën dhe peshën e fesë, mua më quajtën të prapambetur dhe çka jo tjetër.
Për fund, të jeni të sigurt ju qytetarët e vendit tim! Ndryshimet në të mirën e vendit dhe të njerëzve të këtij nënqielli do t’i mbështes gjithmonë. Kësaj radhe e më shumë se më parë. Sepse, më mbanë shpresa se do të më jepet hapësira për të ngritë zërin edhe më shumë dhe për të dhënë kontributin tim edhe më drejtpërdrejtë. Mbështetjen e ndryshimeve e konsideroj obligim njerëzor. Akt patriotik dhe nevojë për të ardhmen tonë, gjithashtu…!
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



