Mjeku Erion Dasho ka folur për procesin e vaksinimit kundër Covidit që pritet të nisë në javën e tretë të muajit Janar në stadiumin Air Albania në Tiranë. Në një intervistë për Fax News, Dasho thotë se stadiumi nuk është i nevojshëm pasi zgjjidhja më e mirë është që vaksina Pfizer të shpërndahet në spitalet rajonale dhe tek Nënë Tereza në Tiranë.
Bazuar në përgatitjen e logjistikës së Gjermanisë, Dasho shprehet se Shqipëria është vonuar pasi duhet të kishte nisur punën disa muaj më parë.
“Tirana ka një rrjet poliklinikash që janë të shpërndara sipas demografisë dhe do ishte zgjidhja më optimale pasi bëhet fjalë për 10 mijë vaksina, të cilat do i përdorja për stafin në spitalet rajonale dhe atë Nënë Tereza. Kjo e bën të panevojshëm Air Albania. Dhe pastaj ne thjesht duhet të ndërtojmë logjistikën që vaksinat nga qendrat ku do të magazinohen pasi të merren nga Pfizer të shtrihen në të gjithë rrjetin kapilar që ne kemi.
Në këto kushte, do të gjykoja që Shqipëria duhet të fillojë nga vendet e tjera. Gjermania ka nisur ta përgatisë logjistikën që në Nëntor. Në këto kushte, nëse Gjermania e ka nisur punën 2 muaj para, Shqipëria besoj se është vonuar.
Pfizer ka bërë të mundur që secili nga frigoriferët që mbajnë nga 1-5 mijë doza secili, të jetë i pajisur dhe me GPS për tu verifikuar vendndodhja sepse ka përgjegjësi. Duke qenë se është mall që kërkohet, mund të bëhen vjedhje apo shpërdorimi. Duke pasur këtë ndihmë të madhe, do të jetë më e lehtë logjistika dhe vaksinimi”, tha Dasho.
Mjeku nuk la pa komentuar vaksinën e Covaxit duke thënë se mund të vijnë me 2 ose 3 prodhues dhe kjo mund të jetë e komplikuar për shkak se secila ka kushtet e vetja të ruajtjes, transportimit dhe administrimit.
“Ajo që duhet të bëjmë kujdes kur flasim për logjistikën është se po flitet edhe për Covax-in. Flitet për qindra mijëra doza që pritet të vijnë shpejt, nuk e di nëse është një lajm i vërtetë apo spekulim. Covaxi nuk sjell Pfizer-Biontech, por vaksina të tjera. Vaksinat e Covaxit mund të vijnë me 2 ose 3 prodhues. Në këtë moment, vaksina bëhet shumë herë më e komplikuar sepse secila vaksinë ka kushtet e veta të ruajtjes, të transportimit e administrimit. Shoh që në Shqipëri bëhet më tepër show sesa përgatitje për logjistikën”, tha Dasho. (A.M/Faxweb.al)
/faxweb



