Janë proceduar nga SHÇBA dy efektivët e Policisë që po shoqëronin 30-vjeçarin Rigers (Riljon) Lala, në momentin kur ky i fundit arriti që t’ia mbathte nga komisariati. Mësohet se të dy efektivët janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimeve për rastin.

Nëse rezulton se kanë shpërdoruar detyrën apo nuk kanë kryer si duhet funksionin që kanë, mund të pritet ndaj tyre edhe fletë arresti, por pritet përfundimi i hetimeve për t’u marrë një vendim i tillë.

Lala shoqërohej nga 2 efektivë të policisë për të lënë shenjat e gishtave gjatë mëngjesit të djeshëm kur arriti që të arratisej, ndërsa do të dërgohej drejt Gjykatës ku do të njihej me masën e arrestit.

Lala u arrestua për armëmbajtje pa leje pas sinjalizimit të policisë se një person lëvizte me armë në “Ali Dem” gjatë pasdites së datës 2 Janar. Në ditën kur ndodhi ngjarja, dëshmitarë thanë për Faxëeb.al se i riu kishte qëlluar me armë, por ky version u hodh poshtë nga ana e Policisë.

I riu bëri rezistencë ndaj Policisë dhe tentoi që t’ia mbathte, por më pas u arrit që të kapej nga “Shigjetat”. Tashmë ai ka mundur që të largohet nga komisariati numër 1 në rrethana që mbeten për t’u sqaruar më tej në ditët në vijim.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re