Mjeku Arjan Mezini i ftuar mëngjesin e kësaj të mërkure në “Abc-ja e mëngjesit” u shpreh se situata në spitale e krijuar nga pandemia është më e lehtësuar dhe se pritet një rritje e rasteve në gjysmën e dytë të Janarit, por jo në ato shifra që u raportuan në dy mujorin Nëntor-Dhjetor.

“Do të ketë një shtim të rasteve por jo në ato shifra që pamë në Nëntor apo fillim Dhjetori. Vërejmë dhe nëpër spitale shtrimet janë ulur ndjeshëm.

Rastet që shtrohen nuk i kalojmë 5-7 maksimumi në një ditë të caktuar deri në 10. Kurse para një muaji shkonte deri në 40. Kjo më bën të mendoj se dy javëshi i fundit i Janarit do të shënojë një rritje por jo në ato shifra siç ishin në Nëntor.”, u shpreh Mezini.

Duke iu referuar studimit të akademikut Genc Sulçebe dhe profesor Alban Ylli, ku thuhej se rreth 50 përqind e popullsisë në Tiranë e kanë kaluar koronavirusin, mjeku u shpreh optimist se dhe me nisjen e vaksinimit vera e ardhshme do të jetë më e qetë.

Ai shtoi se vaksina e Oxfordit do të ishte më praktike përsa i përket kushteve të vendit tonë.

“I besoj studimit të profesor Genc Sulçebe dhe Alban Yllit sesa i saktë është, por shifrat aty sorollaten tek 40-50 përqind.

Gjysma e njerëzve e kanë kaluar Covidin dhe ne kemi krijuar një përqindje të asaj që quhet imuniteti kolektiv. Nëse do të kemi dhe vaksinën besoj na duhen dhe 2 milionë doza të tjera, kam përshtypjen se do të kemi një verë shumë më të qetë.”, shtoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re