Policia ka sekuestruar 50 mijë euro në pikën kufitare të Kakavijës dhe ka proceduar penalisht 41-vjeçarin, i cili është identifikuar me inicialet I.Sh. Ai po drejtonte automjetin tip “Toyota”, ku u ndalua në vijën e dytë dhe shërbimet doganore gjetën shumën e konsiderueshme të parave të fshehura në një valixhe.
Ai do të procedohet për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Njoftimi i plotë
Kakavijë/ Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 50.000 euro. Procedohet penalisht poseduesi i shumës monetare.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip “Toyota” që drejtohej nga shtetasi I. Sh., 41 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në valixhen e shtetasit I. Sh., 50.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, shtetasi I. Sh. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
(A.M/Faxweb.al)
/faxweb



