Dhjetra qytetarë kanë dalë në protestë mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit në Tiranë, për shkak të mospërfundimit në kohë të punimeve në një pallat, për të cilin kanë dhënë paradhënie një pjesë të parave.

Gazetari i Fax News Fatjon Gjinaj raporton se kompania në fjalë është Star construction, ndërkohë që punimet e pallatit duhet të kishin përfunduar në vitin 2019. Çështja e këtij konflikti ndodhet tashmë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ndërkohë që Bashkia e Tiranës nuk u jep leje banorëve që të kryejnë ndërhyrje në pallat.

Një person ka mbetur i lënduar në radhët e banorëve që kanë paguar shtëpitë e tyre, si pasojë e pëplasjeve që kanë ndodhur me punonjës të kompanisë që po ndërton pallatin. Ndërkohë që Policia fillimisht nuk ka pasur prani të madhe në zonë, dhe më pas ka shoqëruar disa prej qytetarëve.

Janë dy biznesmenë që janë të përfshirë në ndërtimin e pallatit, ndërkohë që banorët thonë se janë të detyruar që të qendrojnë me qera, në një kohë që kanë dhënë para për blerjen e banesave në këtë pallat në ndërtim.

Kompania ka marrë leje për shtyrjen e punimeve deri në vitin 2022. “Ne kërkojmë që të bëjmë vetë pjesën që ka mbetur në banesat tona. Kemi marrë borxhe, dhe i kemi blerë ato shtëpi, nga 80 mijë euro, kemi paguar 60 mijë dhe ato e kemi marrë borxh”, shprehet një tjetër prej qytetarëve.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re