Nga Blendi Gashi

Nga politika e tek sporti këtë javë ka pasur zhvillime interesante në Kosovë. Si zakonisht e para i ofroi opinionit përplasje e dëshpërim, kurse i dyti solli krenari.

Politikanët edhe këtë javë që po lemë pas u shtynë mes vete për të marrë merita, qoftë për të bërë unifikuesin, siç thonë për shtetndërtim (kujtojmë tryezën e organizuar me partitë nga LDK dhe Platformën e Kadri Veselit me pika të njëjta, të arrihet kompromis për temat e mëdha që e presin vendin si: ushtria, si të ecet në fazën finale me bisedimet me Serbinë ) por edhe kush është më patriot (kujt i bën më shumë për dëshmorët, çka matet me shkuarjen apo jo për të bërë homazhe).

Ashtu siç pritej. ulja në një tryezë e përfaqësuesve të partive (jo kryetarëve) nuk solli kurrfarë rezultati pasi opozita do zgjedhje të reja e mazhoranca jo.

Por dëshpërimi i kësaj jave në politikën kosovare nuk është ky. Janë një numër i madh i deputetëve që u përkujdesën të dëshpërojnë qytetarët pasi me mungesën në seancën ku u diskutua për të pagjeturit pamundësuan miratimin e rezolutës (nuk kishte kuorum për vendimmarrje).

Këtu nuk duhet harruar edhe kabinetin qeveritar i cili “bojkoti” tërësisht debatin për të pagjeturit, çka deputetë të caktuar e quajtën turp mungesën e ministrave.

Një ngjarje tjetër që duhet veçuar që ngjalli reagim gjatë kësaj jave është dhe lajmi se presidenti Thaçi liroi dhëndrin që vrau vajzën e tij, çka ngjalli reagimin e rrjetit të grave të Kosovës.

Ndërsa nuk munguan edhe përplasjet e përfaqësuesve të partive se kush duhet të udhëheq me dialogun me Serbinë, (LDK e NISMA nuk e duan Thaçin, e para thotë duhet të udhëheq qeveria, e dyta preferon Fatmir Limajn (zv.kryeministër), kurse PDK insiston që ish-kreu i saj, tani presidenti duhet të jetë “bajraktari”).

Xhudoja, ambasadori më i mirë i vendit…

Ndërsa politika po dështon të heq vizat e të sjellë njohje të reja, në vend të cilave po ofron përplasje e përçarje,  është sporti që megjithatë i dha një buzëqeshje qytetarëve në javën e fundit të prillit, konkretisht xhudoja që po vazhdon të jetë ambasadori më i mirë në arenën ndërkombëtare.

Xhudistët kosovarë dhe trajneri u tyre Driton Kuka pushtuan Evropën.

Xhudistja Nora Gjakova u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 57 kilogramë, në Evropianin që po mbahet në Tel Aviv, pasi në finale mposhti gjermanen Theresa Stoll, duke bërë që flamuri i Kosovës të ngrihet më së larti nga shtetet tjera pjesëmarrëse.

Medalje fitoi edhe xhudistja Distria Krasniqi e cila në kategorinë deri 52 kilogramë mori të argjendtën.

Pra këtë javë sporti (xhudo) mundi politikën.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko