Qarku i Kukësit vijon të jetë i mbërthyer nga moti i ftohtë dhe acari.
Si pasojë e uljes së temperaturave akset rrugore nacionale dhe rurale në segmente të veçanta janë përfshirë nga ngricat ndërsa po punohet për kriposjen e tyre. Drejtuesit e automjeteve këshillohen nga policia të ulin shpejtësinë si edhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.
Në rrugën e kombit nuk ka probleme me qarkullimin. Më shumë se 10 borëpastruese janë të angazhuar për pastrimin e borës nga rruga dhe hedhjen e kripës, nga tuneli i Kalimashit drejt pikës kufitare të Morinit.
Nga ana tjetër ende disa fshatra kanë probleme me furnizimin me energji elektrike si në Kukës, ashtu edhe në Has e Tropojë.
Edhe një tjetër zonë e thellë malore po përballet me vështirësitë e krijuara ditët e fundit nga dëbora dhe ulja e temperaturave. Fjala është për njësinë administrative të Iballës në Fushë-Arrëz, aty ku linjat e energjisë elektrike kanë pësuar defekte të shumta.
Për pasojë, prej më shumë se një jave, kjo zonë është pa drita. Dëbora dhe akulli ka mbuluar fushë arrësin, duke shkaktuar edhe thyerjen e tre shtyllave të transmetimit të energjisë tensionit të lartë. Riparimi i tyre është vonuar për shkak të terrenit të vështirë.



