Skip to content

Egjipt: Vëllazëria Myslimane goditet në pasuri, edhe i ndjeri Mursi

Një gjykatë egjiptiane ka vendosur të konfiskojë pasurinë e 89 anëtarëve të Vëllazërisë Myslimane, duke përfshirë dhe atë të ish-presidentit të ndjerë Mohammed Mursi.

Gazeta shtetërore Akhbar al-Youm raportoi se “Gjykata e Urgjencës në Kajro urdhëroi konfiskimin e pasurisë së 89 udhëheqësve dhe anëtarëve të Vëllezërve dhe Trashëgimtarëve Mursi dhe transferimin e tyre në thesar”.

Gazeta egjiptiane El-Youm El-Sabee deklaroi se kjo çështje u soll para gjykatës nga komisioni shtetëror i ngarkuar me konfiskimin e pasurisë së grupit.

Komisioni kërkoi që Ministri i Drejtësisë, titullari i regjistrit të tokave dhe kreu i Bankës Qendrore të transferonin pronën e sekuestruar në thesarin e shtetit.

Anëtarët e grupit nuk kanë komentuar ende mbi vendimin, për të cilin nuk është e qartë nëse është përfundimtar ose mund të apelohet.

Lëvizja Vëllazëria Myslimane u themelua në 1928 dhe pas një grushti shteti ushtarak në Egjipt në korrik 2013, grupi u nxor jashtë ligjit dhe shumica e udhëheqësve të saj u arrestuan, duke përfshirë presidentin e parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mursi. Ky i fundit ndërroi jetë në 2019.