Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar sërish për projektin e rrugës Vlorë-Orikum, e cila është kthyer në përplasjen e radhës mes tij dhe qeverisë. Dukë shpërndarë videon e takimit që pari dje me banorët, Meta thotë se është njohur me shqetësimet e tyre, të cilët kanë deklaruar se asnjë autoritetet shtetëror, qendror apo vendor, nuk është konsultuar me ta.
“Aq më tepër t’i ketë dëgjuar propozimet për zhvillimin e pronave të tyre dhe të zonës në tërësi, që ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe turistik”, thotë Meta. Sipas tij, zëri i banorëve për vërejtje apo sugjerim duhet të dëgjohet dhe të vlerësohet.
“Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të zonave bregdetare, nëse nuk respektohet e drejta e pronës”, shkruan Meta, ndërkohë që shton se kjo është detyrë primare për qeverinë edhe në hartimin e implementimin e projektit të “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”.
“Çdo projekt duhet të jetë i mirëmenduar dhe të respektojë të drejtat themelore kushtetuese të banorëve dhe pronarëve”.
Por për Metën qeveria ka probleme me klientelizmin dhe neglizhencën ndaj interesave të banorëve.
“Fatkeqësisht, klientelizmi dhe neglizhenca ndaj interesave të banorëve, kanë sjellë shkelje të parimeve të barazisë përpara ligjit, cenim të të drejtave legjitime dhe të drejtën e tyre për një proces të rregullt ligjor. Aty ku nuk ka transparencë, ka gjithmonë paligjshmëri”, thotë Meta.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
