Skip to content

Lëvizja Vetëvendosje pjesë e zgjedhjeve të Prillit, prezanton sot kandidatët për deputetë

Tashmë nuk ka dyshime! Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri do të jetë pjesë me kandidatë në zgjedhjet e 25 Prillit. Gjatë ditës së sotme kjo lëvizje pritet që të bëjë publikë dhe dy emrat e parë të kandidatëve që do të jenë pjesë e zgjedhjeve, ndërkohë që fton dhe mediat që të bëhen zëri i tyre.

“Konferencë për media për prezantimin e dy kandidatëve nga zgjedhësit në dy zona zgjedhore të Shqipërisë. Ditën e enjte më 21 janar 2021, në ora 13:00, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri do të mbajë konferencë për media ku do të prezantohen dy kandidatët e parë nga zgjedhësit në dy zona zgjedhore të vendit për zgjedhjet e 25 prillit.

Kjo konferencë do të organizohet në zyrën e LVV Shqipëri, në adresën: Rruga “Hoxha Tahsim”, nr 105, kati 2, Tiranë (pranë Optika Roma – 200 metra mbi Pazarin e Ri)”, mbyllet njoftimi i degës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Drejtuesi i kësaj lëvizje në vendin tonë është Boiken Abazi, por nuk dihet ende nëse ai është një prej kandidatëve që do të jenë pjesë e listave për deputetë. Kështu Vetëvendosje i shtohet disa partive të tjera të vogla që garojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare, përfshirë Nismën, partinë e ish-kryeparlamentares Topalli, apo partinë që do të udhëhiqet nga Myslym Murrizi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb