Rreth 200 persona janë arrestuar kur të dielën demonstrantët në protestat kundër masave për parandalimin e koronavirusit (COVID-19) u përleshën me policinë në më shumë qytete të Holandës, bëri të ditur sot policia.
Qindra protestues në qytetet, përfshirë Amsterdamin dhe Eindhovenin dolën në rrugë kundër masave të reja për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Policia përdori topa uji meqë demonstratat u kthyen në trazira pasi disa automjete u dogjën dhe dyqanet u plaçkitën.
Në një deklaratë, policia holandeze tha se situata ishte veçanërisht e tensionuar në Venlo, Stein dhe Roermond, dhe ata ndërhynë në përputhje me rrethanat.
Veçmas, policia e Amsterdamit tha se 190 persona u arrestuan, me 27 persona ende në arrest policie, përfshirë 7 të mitur, sipas transmetuesit shtetëror NOS.
Holanda më 12 janar zgjati kufizimet e bllokimit deri së paku 10 shkurt për shkak të variantit të ri të COVID-19 që thuhet të jetë më ngjitës dhe ndoshta më vdekjeprurës.
Kufizimet më tej u shtrënguan më 23 janar me zbatimin e orës policore gjatë natës në të gjithë vendin (midis orës 21:00 dhe 04:30 të mëngjesit sipas kohës lokale), e para që nga Lufta e Dytë Botërore.
