Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Boden, Levent Karsan, kompanisë pronare të anijes së mallrave e cila u sulmua nga piratët pranë Nigerisë, tha se anija nuk është as pronë turke e as me flamur turk.
“Anija nuk është në pronësi turke ose me flamur turk”, tha Karsan në një konferencë për media në lidhje me pjesëtarët turq të ekuipazhit të cilët të shtunën u rrëmbyen nga piratët në Gjirin e Guinesë.
Pas sulmit, anija e mallrave Mozart me flamur liberian, me ekuipazh kryesisht turk , u ankorua dje në Port-Gentil të Gabonit.
Karsan tha se anija u përkiste investitorëve të huaj dhe kompania e tij ishte përgjegjëse vetëm për menaxhimin teknik të anijes.
“Anija është me flamur liberian. Menaxhimi i saj i përket një kompanie që ka zyra në Londër dhe Hamburg”, tha Karsan.
Ai shtoi se nuk ka marrë ndonjë lajm nëse piratët kanë kontaktuar ndonjë autoritet deri më tani.
