Një baxho qumështi në fshatin Fitore të Novoselës është përmbytur gjatë natës, sepse pronari i saj nuk mori masa duke u nisur nga njoftimi i Bashkisë së Vlorës që nuk do të ketë prurje dhe situata është e qetë.
Pronari Dhimo Gucaj shprehet se u lajmërua për rrezikun vetëm dje në darkë, në orën 21:00, por nuk kishte kohë që të shpëtonte biznesin e tij.
Ai më tej tregon se ka vuajtur nga përmbytja edhe në vitin 2015, duke pësuar një dëm prej 400 milionë lekësh dhe nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim nga shteti.
“Bashkia nëpërmjet lajmeve që jepte thoshte se ka rënie të lumit në Përmet dhe ne i besuam kësaj e nuk morëm asnjë mase. Që nga 2015 kam bërë investime. Nga ora 9 kam zbritur dhe i kam gjetur të përmbytura kompet në katin e parë.
Në 2015 kam pësuar 400 milionë lekë dëm dhe s’më ka dhënë asgjë. Kanë premtuar dhe s’kanë dhënë asgjë. Shteti di vetëm të vjelë taksa, të vërë gjoba, dhe këto të tjerat premton dhe asgjë nuk bën,” deklaroi Gucaj.
Sot, nga dalja e Lumit Vjosë, janë dhjetëra hektarë tokë nën ujë, 10 familje te evakuara dhe 3 biznese të përmbytura.
/faxweb
