Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka deklaruar se Shqipëria po fillon të shohë rezultate në fushën e drejtësisë, edhe pse nuk bën ‘marifete’ për të premtuar kapje të ‘peshqve të mëdhenj’.
Sipas saj përparim është bërë në këtë drejtim, por shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të paduruar.
Yuri Kim ka një lajm për të gjithë, duke thënë se ajo beson tek Shqipëria ashtu si SHBA-ja. Ambasadorja ka shigjetuar ‘disa’ persona sipas së cilës duan që në Shqipëri të krijohet përshtypja se ky vend ka qenë gjithmonë i korruptuar sepse ashtu i intereson atyre, por znj.Kim i është rikthyer historisë duke i kërkuar shqiptarëve mos e humbasin shpresën.
“Tani Shqipëria ka një gjykatë që funksionon. Duhen edhe nja dy gjyqtarë për të pasur anëtarësinë e plotë me nëntë dhe mendoj se palët do të punojnë për këtë, institucionet përgjegjëse. SPAK nuk kishte filluar të funksiononte, tani funksionon. Ka disa çështje që po shqyrton. Nuk e di cilat janë, e vendosin ata. Dhe tani sigurisht kemi BKH që funksionon me hetuesit e saj. Pra, ka lëvizje. Mendoj që shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të paduruar. Kanë qenë pa drejtësi të vërtetë për tepër kohë dhe kanë të drejtë të kenë padurim, kanë të drejtë të kërkojnë veprim më të shpejtë, dhe mendoj se do të shohim ca nga kjo gjatë 2021”, tha Yuri Kim
Por a do kemi arrestim të peshqve të mëdhenj?
“Unë nuk bëj ato marifete marrëdhëniesh me publikun. Unë jam e interesuar në rezultate. Prandaj, ju e dini, unë nuk bëj premtime të mëdha. Gjithçka mund t’ju them është se Shtetet e Bashkuara e kanë shumë seriozisht reformën në drejtësi, se e kemi shumë seriozisht korrupsionin, se e kemi shumë seriozisht ndërtimin e një marrëdhënieje me Shqipërinë, e cilan është e fortë në demokraci, mbrojtje, dhe biznes. Dhe j’ua lë juve në dorë të gjykoni, bazuar në fakte, se sa përparim është bërë apo nuk është bërë. E kam thënë këtë edhe më parë, uroj që njerëzit të mos shpërqëndrohen nga propaganda dhe ekzagjerimet. Njerëzit duhet të bazohen në fakte.
Po, mendoj se po filloni të shihni rezultate. Keni parë disa çështje të mëdha të nisin duke filluar nga vera e kaluar, dhe ajo që ndodh në fund është bërja e dallimit midis propagandës dhe faktit. Ka disa të cilët duan që ju të besoni se Shqipëria ka qenë gjithmonë e korruptuar dhe se do të jetë gjithmonë e korruptuar dhe se nëse nuk jeni dakord, ju jeni naiv. Epo, kam një lajm për ju, kjo nuk është normale dhe kjo nuk është mënyra se si ka qenë gjithmonë Shqipëria. Unë besoj tek Shtetet e Bashkuara dhe arsyeja përse besoj në Shtetet e Bashkuara nuk është sepse ne jemi perfekt, por sepse përpiqemi të përmirësohemi. Unë besoj tek Shqipëria për të njëjtën arsye.
Ky nuk është vend i përkryer. As Shtetet e Bashkuara nuk janë, por unë mendoj se populli shqiptar ka mjaftueshëm pasion dhe përkushtim për të sjellë ndryshim. Unë shoh historinë tuaj. Shqipëria është toka e Skënderbeut. Ju i bëtë ballë Perandorisë Osmane kur askush tjetër nuk e bëri. Shqipëria është toka e besës dhe sot ndodh të jetë Dita e Përkujtimit të Holokaustit, por ju jeni i vetmi vend në Europë i cili në fund pati më shumë hebrenj se sa në fillim, dhjetra herë më shumë. Askush tjetër nuk e bëri këtë. Ju jeni vendi që refuzuat Enver Hoxhën dhe e zhdukët atë.
Mendoj se këto janë me të vërtetë elemente të admirueshme të karakterit shqiptar. Prandaj unë besoj tek Shqipëria, besoj tek populli shqiptar dhe mendoj se ju kurrë nuk duhet të ndalni së shpresuari. Këta njerëz, të cilët ju thonë se nuk po ndodh asgjë dhe se asgjë nuk do të ndodhë kurrë, nuk janë njerëz të cilët ju tregojnë të vërtetën. Ata po ju thonë një gënjeshtër, në mënyrë që të mund të vazhdojnë me çfarëdo aktiviteti të tmerrshëm ku janë të përfshirë. Mos e humbni shpresën. Shpresa është armë.”
/faxweb
