Ish-deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin ‘Me Xhaxhiun’ ku foli mbi situatën në të cilën ndodhet aktualisht vendi, duke e cilësuar atë si akute, pasi një numër i madh qytetarësh vendosin të largohen nga Shqipëria, për shkak të papunësisë dhe të kostove të larta të jetesës.
Sipas tij partia Socialiste po adopton politika të cilat janë tipike të djathta si në shërbime, shëndetësi, arsim dhe në ekonomi.
“Jemi në një situatë ku ka një perceptim publik jashtëzakonisht shumë negativ për qeverinë dhe kemi një situatë ku me kënaqësi e them që angazhimi i shumë të rinjve është evident, por jo vetëm të rinj janë edhe profesionistë, pedagog, profesorë, ekonomistë të cilët janë angazhuar tashmë me LSI dhe unë përfitoj nga rasti që të them faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan dhe për programin.
LSI si një forcë e qendrës së majtë shpeshherë me politikat e saj është treguar më e majtë sesa PS.
PS referencën e saj të përkatësisë politike nuk e ka fare në defter. Politikat e saj janë shumë prej tyre janë tepër të djathta qoftë në konceptin për ekonominë, qoftë në konceptin e shërbimeve publike tek shëndetësia, tek arsimi, tek ekonomia duke adoptuar politika që janë tipike të djathtës.
Problematika që ka vendi është shumë akute ka të bëjë me largimin e qytetarëve, me shpopullimin, ka të bëjë me papunësinë, ka të bëjë me koston e lartë të jetesës.
Unë shprehem se shqiptarët harxhojnë 80% të të ardhurave të tyre vetëm për të ngrënë, ndërkohë që niveli i të ardhurave është më i ulti në rajon“- u shpreh Haxhinasto. (B.D/Faxweb.al)
/faxweb
