Skip to content

Grusht shteti në Mianmar, ushtria merr pushtetin për një vit

Ushtria e Mianmarit deklaroi se ajo ka marrë pushtetin dhe do ta qeverisë vendin për një vit.

Presidenti Win Mynt dhe Kryetarja e Këshillit të Shtetit dhe njëherësh ministrja e Jashtme e vendit, Aung San Suu Kyi u arrestuan.

Një deklaratë e lëshuar nga organin informues i ushtrisë së Mianmarit konfirmoi pretendimet për grusht shteti pas arrestimeve që u realizuan mëngjesin e sotëm dhe njoftoi se tani pushtetin ndodhet në duart e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing.

Ushtria thotë se një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në vend që nga grushti i shtetit dhe se Mianmari do të drejtohet nga ushtria për një vit.

Ushtria e Mianmarit kishte pretendime për mashtrime në zgjedhjet e fundit parlamentare që rezultuan në fitoren e partisë qeverisëse të Suu Kyi.

Ndërsa diskutimet vazhdojnë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm njoftoi se kushtetuta mund të shfuqizohet nëse ligjet nuk zbatohen siç duhet.

Sot pritej të hapej Parlamenti i Mianmarit.

Zëdhënësja e partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) në pushtet në Mianmar, Myo Nyunt tha se Presidenti Win Mint, Suu Kyi dhe udhëheqës të tjerë të partisë ishin arrestuar herët në mëngjes si pasojë e një bastisjeje ushtarake.

“Unë dua që njerëzit tanë të mos reagojnë pa menduar dhe të veprojnë në përputhje me ligjin,” tha Myo Nyunt duke shtuar se edhe ajo priste që të arrestohej nga ushtria.

Ndërkaq pas marrjes së kontrollit nga ushtria në Mianmar dhe arrestimit të zyrtarëve të qeverisë civile partia në pushtet i bëri thirrje popullit që të dalë kundër grushtit të shtetit dhe të mos lejojë rikthimin e diktaturës ushtarake në vend.

Në deklaratën e publikuar në faqen në Facebook të Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD) të Aung San Suu Kyi thuhet se akti i ushtrisë është i paligjshëm dhe ka injoruar kushtetutën dhe vullnetin e popullit.