Skip to content

Presidenti i Ukrainës: “Pas bastisjes së Kongresit, vështirë që bota të shohë SHBA-në si simbol të demokracisë”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është shumë vështirë që bota ta shohë SHBA-në si simbol të demokracisë pas bastisjes së Kongresit më 6 janar.

Zelensky në deklaratën për faqen amerikane të lajmeve “Axios” tha se është shokuar përderisa e ka parë bastisjen e Kongresit në SHBA duke shtuar se nuk mund të imagjinonte të ndodhë një gjë e tillë.

Ai vuri në dukje se SHBA-në e shohin si një vend ku administrata ndryshon në mënyrë paqësore, ka institucione demokratike, duke e cilësuar si një goditje të rëndë ndaj demokracisë amerikane bastisjen e Kongresit.

Presidenti ukrainas më tej rikujtoi se në Ukrainë kanë përjetuar “dy revolucione”. “E dimë se kjo mund të ndodhë në botë, por askush nuk priste që të ndodhte në SHBA. Pas bastisjes së Kongresit do të jetë shumë e vështirë që bota të shohë SHBA-në si simbol të demokracisë”, vlerësoi ai.

Kujtojmë se 5 persona humbën jetën pasi mbështetësit e ish-presidentit amerikan Donald Trump rrethuan ndërtesën e Kongresit në Washington, duke tejkaluar policinë për të hyrë brenda përmes dyerve dhe dritareve të thyera. Midis të vdekurve ishte oficeri i policisë së Kapitolit, Brian Sicknick.