Skip to content

BE dënon fuqishëm puçin ushtarak në Mianmar

Bashkimi Evropian (BE) dënon fuqishëm puçin ushtarak në Mianmar dhe kërkon lirimin e të arrestuarve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në mesazhin e tij në rrjetet sociale dënoi fuqimisht puçin ushtarak në Mianmar dhe i bëri thirrje ushtrisë së Mianmarit që të lirojë numrin e madh të njerëzve që janë arrestuar në mënyrë të paligjshme në bastisjet në mbarë vendin. 

“Duhet të respektohet rezultati i zgjedhjeve dhe duhet të rindërtohet procesi demokratik”, ka theksuar Michel. 

Edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, ka theksuar se dënon në mënyrë të ashpër grushtin e shtetit. Në mesazhin e tij në rrjetin social Borrell tha se, “Duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve dhe kushtetuta. Populli i Mianmarit dëshiron demokraci. BE është pranë tyre”. 

Ushtria e Mianmarit njoftoi se ka marrë qeverisjen e vendit për një vit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e mbajtura më 8 nëntor 2020. 

Komisioni zgjedhor kishte përgënjeshtruar pretendimet e ushtrisë për mashtrime në zgjedhjet të cilat më 29 janar kanë rezultuar me fitoren e partisë në pushtet të Aung San Suu Kyi. 

Ushtria në vend mbështet partinë kryesore në opozitë, Partinë e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP).