Skip to content

‘Të shesësh gjysmën e shtëpisë dhe nuk të del’, qytetarët numërojnë qindarkat për kurimin e Covid: Le të vdesë gruaja nuk kam mundësi ta çojë në privat, shteti është fukara

105 raste pozitive janë regjistruar në 24 orët e fundit në qarkun e Elbasanit, ku 75 raste i takojnë vetëm bashkisë Elbasan. Pavarësisht rritjes së frikshme të rasteve shihet një nenvlerësim i qytetarëve për të respektuar masat antikovid.

Në shkolla situata është përkeqësuar ndjeshëm. Vetëm ditët e fundit janë regjistruar 34 raste me COVID 19 në ZVA Elbasan, ndërsa  java e fundit ka rezultuar problematike pasi çdo ditë ka pasur 3 deri në 4 mësues të infektuar.

Përtej shifrave që rriten cdo ditë problem i mprehtë është përballimi i shpenzimeve për të kuruar virusin vdekjeprurës. Ndonëse qeveria premtoi rimbursim të medikamenteve qytetarët janë mosbesues aq sa shpesh edhe nuk i kanë referuar dokumentacionet. Ky qytetar e ka humbur besimin te shëndetësia ndërsa flet se për të kuruar një familjaren e tij deri tani ka shpenzuar 600 mijë leke të vjetra, por pak beson se ajo do të mbijetojë.

Shumë prej qytetarëve shprehen se nuk kanë mundësi që të përballojnë trajtimin me ilaçe, e madje shkojnë deri aty, sa vënë para dy rrugë, jetën dhe vdekjen. Një prej qytetarëve thotë se për të përballuar Covidin në gjendje të rëndë, një personi do ti duhet të shesë gjysmën e shtëpisë.

‘Unë e kam kaluar me temperaturë shumë të lartë dhe me dhimbje kockash. Unë i kam bërë të gjitha kontrollet jashtë shtetit, kam kunatën rëndë këtu, dhe kemi harxhuar pothuajse një gjysmë shtëpie, as ka pyetur njeri nga shteti. Si kemi bërë fare dokumentat, skemi besim te shteti. Dy gjëra ke këtu, ose jeton ose vdes’, shprehet një prej qytetarëve.

‘Varet sipas qeses sipas xhepit, unë e kam përballuar për vete, të shihen familjet në neojë që ti ndihmojë’, tregon një tjetër.

“E kam përballuar vetë, nuk di ça të them për ato familje që nuk kanë mundësi për ta përballuar, ky është sistemi, kush të rrojë rron, kush vdes vdes. Në të gjithë botën njësoj po ndodh”.

‘Sa i takon mundësive ekonomike nuk kanë qenë dhe aq të mira, por e kemi përballuar. Ilaçet më shkuan diku te 150 mijë lekë. Bashkë me analizat e PCR’.

‘Shteti ynë është fukara dhe nuk i ndihmon të gjithë, njerëzit të gjithë kanë pare në shtëpi, por iu dhimbsen që tiu japin. Unë personalisht e kalova në këmbë, piva vetëm paracetamol , pas një jave nuk kisha më gjë fare’.

“Të ardhura skemi gjë jo, është shumë e vështirë, do vdesim ça do bëjmë. Erdha me gruan dhe më thanë që të bëja rezonancën 160 mijë lekë, nuk kam mundësi, po tia bëjnë këtu në fshat mirë, jo jo do vdesë”.

Ndërsa në qytet masat kanë nisur të anashkalohen dukshem, shihen grumbullime kudo ku merren shërbime, si në spital, banka aty ku aplikohet për mjete identifikimi etj. Duket se ajo që shqetëson më së shumti qytetarët janë kushtet ekonomike sesa shëndeti.

Elbasani është qarku i 6-të për nga numri i rasteve aktive, duke regjistruar aktualisht 1418 persona pozitiv që kanë kryer tampon. Ajo që po ndodh tjetër në qytet është edhe qarkullimi i virozave të stinës, cka ka shqetësuar jo pak qytetarët për shkak të simptomave të ngjashme.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb