Analisti Ben Andoni ishte i ftuar në emisionin ‘Aktualitet’ ku foli për zgjedhjet e 25 Prillit në lidhje me mandatin e tretë të kryeministrit Rama. Sipas tij çdo kush e kërkon një mandat të tretë, por qeveritë në Shqipëri kanë treguar se mandatin e dytë e kanë mbyllur me shumë probleme.
Andoni u shpreh se Rama mandatin e tretë e kërkon për të plotësuar egot e tij politike, por kryeminstrin e ka lodhur mandati i dytë pasi nuk ka formimin e duhur ekonomik dhe juridik, pasi me retorikën e tij po mundohet të justifikojë punën e vet.
“Gjithkush e kërkon një mandat të tretë megjithatë gjithë qeverisjet në Shqipëri kanë treguar që mandatin e dytë e kanë mbyllur me shumë probleme. Z.Rama i qëlloi edhe tërmeti edhe pandemia dhe këtë s’mund ta mohojmë. Problemi më i madh është mënyra sesi ai përças gjithë diskursin e komunikimit me kundërshtarët dhe me sensin e tij për fitoren.
Unë besoj se nuk është kaq e sigurtë sa e beson dhe në një farë mënyre po imiton Berishën në rënien e tij. Personalisht mendoj që z.Rama e ka lodhur jashtëzakonisht mandati i dytë. Z.Rama duke mos pasur qoftë formimin ekonomik, qoftë formimin e mirë juridik mundohet me retorikën e vet, për mua nuk është retorik shumë e zgjedhur mendoj që po justifikon punën e vet në sensin e justifikimit të asaj që nuk mund të justifikohet.
Mandatin e tretë e do për të plotësuar egon e tij politike dhe për të treguar që kapi një cak sepse i gjithë synimi i politikanëve shqiptarë është të futen në histori, deri tani në histori është vetëm z.Berisha me të mirat dhe të këqijat e tij”- tha Andoni.
(S.D/Faxweb.al)
/faxweb
