Skip to content

Arabia Saudite zotohet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Jemenin

Zëvendës-ministri i Mbrojtjes së Arabisë Saudite, Princi Khalid bin Salman sot tha se Mbretëria do të vazhdojë mbështetjen e saj politike dhe ushtarake për qeverinë e Jemenit përballë grupit Huthi të mbështetur nga Irani

Të enjten, presidenti amerikan Joe Biden mori vendim për t’i dhënë fund mbështetjes së SHBA-së për fushatën ushtarake të Mbretërisë në Jemen.

“Shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë amerikanë për të lehtësuar situatën humanitare dhe për të gjetur një zgjidhje të krizës në Jemen”, tha Bin Salman.

Ai po ashtu riafirmoi angazhimin e Mbretërisë për të mbështetur përpjekjet diplomatike në arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse në Jemen bazuar në iniciativën e Gjirit, rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rezultatet e dialogut kombëtar të Jemenit.

Të enjten, Biden në fjalimin e tij të parë të politikës së jashtme tha se “Kjo luftë duhet të marrë fund. Dhe, për të nënvizuar angazhimin tonë, ne do t’i japim fund të gjithë mbështetjes amerikane për operacionet sulmuese në luftën në Jemen, përfshirë shitjet përkatëse të armëve”.

Ndërkohë, Biden emëroi gjithashtu diplomatin veteran Timothy Lenderking si të dërguarin e parë të SHBA-së në Jemen.

Që nga formimi i koalicionit arab të udhëhequr nga sauditët në Jemen në vitin 2015, SHBA i ka ofruar mbështetje koalicionit duke u siguruar mbështetje ushtarake, të inteligjencës dhe logjistike.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, konflikti në Jemen deri më tani ka marrë jetën e 233 mijë njerëzve.