Situata pandemike e shkaktuar nga virusi SarsCov-2 po vjen duke u agravuar edhe në qarkun e Beratit, ku çdo ditë shënohen raste të reja të prekurish dhe shumë raste kontakti.

Vetëm ditë e sotme janë regjistruar 47 raste pozitive në rang qarku, që i përkasin: 25 Beratit, 11 Urës-Vajgurore, 5 Kuçovës, 4 Skraparit dhe 2 Poliçanit. Mes rasteve të ditës së sotme regjistrohen të infektuar në disa shkolla, ku janë konfirmuar “pozitiv” 3 mësues.

Një mësues në shkollën 9-vjeçare “Thimi Tani”, një mësuese në shkollën e mesme të muzikës “Ajet Xhindole” dhe një mësues në shkollën mekanike “Stiljano Bandilli” janë të infektuar me Covid-19.

Edhe 4 nxënës në shkollën mekanike “Stiljano Bandilli” rezultojnë të prekur me SarsCov-2. Mësuesit dhe nxënësit janë karantinuar, ndërkohë që në të tria shkollat janë kryer dezinfektimet e nevojshme dhe janë marrë tamponë tek mësues e nxënës.

Të prekur me koronavirus janë regjistruar ditën e sotme edhe në institucionet shëndetësore. 2 infermiere në Qendrën Shëndetësore në fshatin Rroshnik, 1 infermiere në Qendrën Shëndetësore në fshatin Samaticë dhe 1 infermiere në Qendrën Shëndetësore në fshatin Kutalli janë konfirmuar “pozitivë” me Covid-19. 36 rastet e tjera rezultojnë të jenë raste kontakti, mes tyre të rinj dhe pensionistë.

Aktualisht në qarkun e Beratit janë 861 raste aktive me koronavirus, ndërkohë që në repartin Covid-19 në Spitalin Rajonal Berat janë të shtruar 12 të infektuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re